Tiranë, 11 janar NOA - Dëshmitë e banorëve të komunës Dajç tregojnë një tjetër realitet të gjendjes së tyre dhe sidomos të shpërndarjes së ndihmave nga qeveria.
I gjendur mes banorëve të Dajçit deputeti socialist i qarkut Shkodër, Tom Doshi ka parë vetë sasinë e pakët të ushqimeve të dhëna nga qeveria për këta banorë.
Të paktën kështu ka deklaruar Doshi gjatë një deklaratë për shtyp i cili u shpreh se për këtë fakt i referohet dëshmive të banorëve të dëmtuar nga përmbytjet.
"Banorët e kësaj komune, një prej më të përmbyturave, shprehen se ndihma është tejet e vogël nga strukturat e qeverisë madje qesharake
Rrëfimi i një prej banorëve: "Kjo është sasia e ushqimit që ka sjellë shtabi i emergjencës në Dajç. Kemi 9 ditë nën ujë që jemi mbyt. Sot na kanë sjell 80 gramë vaj, 200 gram sheqer, 450 gram makarona për familje. Këtu vijnë me hap panik për të ikur ne. I gjithë populli është në ujë, bagëtitë, këtu ka njerëz që nuk kanë bukë me hëngër te shtëpia.
Veç deputetëve të Partisë Socialiste, askush nuk ka ardhur këtu. Ne s'na ka dhënë kush asgjë, kemi tërë ato lopë e bagëti. Se kush do t'i dal zot kësaj pune nuk e di, ajo ka thënë do shpërblej sot, do shpërblej nesër. Ça më duhet shpërblimi i saj nëse jam dekun" deklaroi Doshi.
Sipas tij, banorët në Dajçit kanë ngritur argjinaturën vetë.
Siç dëshmojnë vetë kanë punuar me mjete rrethanore për të ngritur këtë argjinaturë që mbron shtëpitë e tyre nga shkatërrimi total.
"Para tre netësh këtu kemi parë gjendjen më të vështirë, është shpërthye, e kemi mbajt vetëm me zhavorr dhe organizimi ka qenë si në principata në mesjetë dhe nuk ka qenë ndihma e shtetit, as e pushtetit lokal, sepse do ktheheshin poshtë zeros dhe bën sakrifica madhore për të ruajtur argjinaturën" u shpreh një banor.
"Ky është realiteti, kjo është e vërteta. Të vij këtu qeveria, e të përballet me këtë popull për hallet që ka, mos të dal në media e të deklarojnë se këtu nuk mungon asgjë, sikur këta nuk kanë nevojë për ushqime, pra shiheni vet. Bëj thirrje gjithë banorëve të Shkodrës, që kush ka mundësi t'i ndihmojë këta njerëz edhe me bazë ushqimore për bagëtitë, sepse këta shprehen se janë më në hall me bagëtitë, ju bëj thirrje t'i ndihmojnë.
Sikur të mos ishte iniciativa e tyre, do ishte përmbytur e gjithë, ashtu si gjithë fusha.
Këta janë duke ndenjur ditë natë, kanë marrë 600 thasë me rërë dhe po e ruajnë të mos shpërthejë. Pra, këta nuk kanë parë as pushtetin vendor, as pushtetin qendror, nuk ju ka ardhur kush, as ushtria, as policia.
Ky është realiteti, jo prononcimet që bëhen te Shtabi i Emergjencës, që thonë situatën e kemi nën kontroll." tha më tej deputeti Doshi.
k.k/NOA