Tiranë, 11 Janar NOA - Partia Socialiste ka publikuar përmes deputetit të saj Taulant Balla një komunikatë të ngjashme me ato që Policia e Shtetit shpërndan për mediat. Deklarojmë me përgjegjësi të plotë, - tha Balla, - se kjo përmbytje është një vepër penale e pastër abuzimi me detyrën si pasojë e së cilës janë rrezikuar jetët e disa mijëra banorëve të zonës së Shkodrës dhe janë dëmtuar me paramendim pronat e disa mijëra familjesh në këtë zonë".
Duke imituar më së miri komunikatat për ngjarjet kriminale që ndodhin në vend, PS deklaron:
"Nga të gjitha informacionet që ne kemi mbledhur dhe po administrojmë nga verifikimet në terren si dhe konsultimet me ekspertët hidroteknikë na rezulton se kjo përmbytje është një vepër penale e pastër abuzimi me detyrën si pasojë e së cilës janë rrezikuar jetët e disa mijëra banorëve të zonës së Shkodrës dhe janë dëmtuar me paramendim pronat e disa mijëra familjesh në këtë zonë.
Në këtë vepër penale, identifikojmë si persona përgjegjës:
1. Sali Ram Berisha, lindur në Viçidol dhe banues në Tiranë, i datëlindjes 15/10/1944, me detyrë Kryeministër i votave të vjedhura.
2. Dritan Prifti, lindur në Kuçovë dhe banues në Tiranë, i datëlindjes 27/08/1968, me detyrë Ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës i qeverisë së votave të vjedhura.
Të dy këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me persona të tretë kanë vënë në rrezik, me dashje dhe paramendim, sigurinë e kaskadës hidroenergjetike mbi lumin Drin, duke urdhëruar shkeljen në disa nene të Rregullores së Shkarkimit të Plotave në Hidrocentralet e Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës", - thuhet në komunikatën që lexoi Balla.
Deputeti socialist tha se forca politike ku aderon, në vijim të ndjekjes së situatës në zonat e përmbytura, të solidaritetit dhe të angazhimit për t'iu gjendur pranë banorëve me ndihma dhe asistencë të nevojshme, rishpreh qëndrimin se kjo përmbytje e jashtëzakonshme nuk do të teret dot pa marrë përgjegjësitë e plota kryeautori dhe autorët e saj.
PS ka ripërsëritur ndaj institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme kërkesën për fillimin e hetimeve për "shkaqet që çuan në këtë katastrofë me autorësi shtetërore".
Deklarojmë me përgjegjësi të plotë, - tha Balla, - se kjo përmbytje është një vepër penale e pastër abuzimi me detyrën si pasojë e së cilës janë rrezikuar jetët e disa mijëra banorëve të zonës së Shkodrës dhe janë dëmtuar me paramendim pronat e disa mijëra familjesh në këtë zonë".
Balla tha se liqenet e tre hidrocentraleve mbi lumin Drin u frynë në mënyrë të qëllimshme, për të mos prodhuar energji, por për t'i zbrazur mbi Shkodër, ndërkohë që energjinë në muajt e shkuar dhe në vijim Shqipëria duhet të vazhdojë ta importojë nga Serbia.
r.b/NOA