English

Shërbimet publike, Bashkia: Bode ka bllokuar pagesat

Tiranë, 11 janar NOA - Bashkia e Tiranës akuzoi të hënën ministrin e Financave Ritvan Bode se ka bllokuar pagesat për shërbimet publike që kanë kryer disa biznese në Tiranë sipas kontratave që kanë lidhur me bashkinë.

Sipas zëdhënëses së bashkisë, Joana Bushi, që nga data 18 dhjetor, Thesari i Shtetit ka kthyer mbrapsht pagesat që kanë të bëjnë me rindërtimin e rrugëve e pastrimin në Tiranë.

"Këto pagesa që arrijnë në 101 milionë lekë të reja dhe bëhen nga arka e bashkisë së Tiranës dhe jo nga buxheti i shtetit, u mohon në mënyrë të paligjshme 24 kompanive. Arka e shtetit mund të jetë bosh, por qeveria s'ka asnjë të drejtë të fusë duart në arkën e bashkive dhe as t'ua faturojë krizën ekonomike kompanive private.

Ky arbitraritet i ri i qeverisë bie mbi punëtorët e këtyre kompanive dhe mbi vetë qytetin tonë, që duhet pastruar përditë, mirëmbajtur përditë dhe rindërtuar përditë.

I bëjmë thirrje ministrit të Financave të zhbllokojë pagesat që bashkia e Tiranës u detyrohet sipas kontratave të punëve të kryera, kompanive të kontraktuara.

Tirana nuk pret dot që qeveria të dalë nga gropa e krizës ekonomike e financiare ku po fundoset përditë", thuhet në deklaratën e bashkisë.

b.m/NOA

KOMENTE