Tiranë, 11 janar, NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot në Presidencë për të zhvilluar një takim pune të thirrur prej tij me ministrin e Energjetikës, Dritan Prifti.
Lajmi bëhet me dijeni paraprakisht nga burime pranë Presidencës për agjencinë e Lajmeve NOA, të cilat sqarojnë se qëllimi i këtij takimi është diskutimi mes palëve i situatës emergjente të krijuar nga përmbytjet në veri të vendit.
Mësohet se kreu i shtetit do t'i kërkojë të dhëna konkrete ministrit për të gjithë treguesit e situatës, ndërsa ky i fundit do t'i paraqesë edhe rrugëdaljet nga situata e vështirë.
Po me qëllimin e diskutimit të përmbytjeve, presidenti Topi zhvilloi dje një takim edhe me ekspertin e njohur të hidrocentraleve dhe digave, prof. Farudin Hoxhën, i cili kryen funksionin e Kryetarit të Komitetit të Digave të Mëdha.
Takimi u mbajt në vazhdën të disa konsultimeve që kreu i shtetit po zhvillon me ekspertë dhe profesionistë të ndryshëm të fushës hidrike, sikundër është edhe ai i sotmi me ministrin e Energjetikës, për të gjetur rrugët e duhura të kapërcimit të situatës së vështirë të krijuar nga përmbytjet në veri të vendit.
n.e/NOA