Durrës, 11 janar NOA - Teatri "Aleksandër Moisiu" festoi mbrëmë në darkë 57-vjetorin e themelimit, në një atmosferë të ngrohtë ku merrnin pjesë jo vetëm artistë, miq dhe dashamirës të teatrit, por edhe ministri i Kulturës, Ferdinand Xhaferi dhe kryetari i Bashkisë, Vangjush Dako.
Urimi i të gjithë aktorëve të kësaj trupe ishte premiera më e re e saj "Ana Kristi" fituese e çmimit Pulitzer e dramaturgut amerikan Eegene O'Neili, vënë në skenë nga regjisorja Driada Dervishi, me aktorët: Klodjana Keco, Lisen Bashhysa, Marvin Tafaj, Sanie Hoti, Xhelal Tafaj, Mimoza Marjanaku.
"Ana Kristi" një nga dramat më të mëdha të kohës, me një tingëllim tejet njerëzor, impresivisht të vërtetë në karakterin e saj dhe në momentet më kulminante, intensivisht dramatike ishte vetëm fillimi i një mbrëmjeje festimi, që tregoi edhe njëherë vështirësitë dhe mbijetesën e kësaj trupe, edhe pse tashmë me një numër të konsiderueshëm aktorësh.
Teatri dramatik i Durrësit "Aleksandër Moisiu" është pagëzuar me këtë emër që kur u themelua në vitin 1953 teatri dramatik i qytetit.
Ai ka qenë një shkollë e vërtetë për shumë artistë të talentuar, të cilët më pas u quajtën me të drejtë si disa nga figurat e rëndësishme të artit skenik dhe kinematografik.
Teatri "Aleksandër Moisiu" kishte një trupë jashtëzakonisht të pasionuar, të talentuar por edhe shumë serioze dhe të predispozuar për punë. Emra si Nikolin Xhoja, Vangjel Heba , Marta Burda, Spiro dhe Vera Urumi, Teodor Upi, Filika Dimo, etj janë artistë të vërtetë me emër , të cilët u bënë plejada e parë e aktorëve që më pas u dhanë më të rinjve si Mirush Kabashi, Guljelm Radoja, etj profesionin, pasionin, seriozitetin.
Ata me talentin dhe përkushtimin e tyre i dhanë një bagazh kulturor qytetarëve të qytetit dhe hodhën bazat për një teatër profesionist.
Teatri "Aleksandër Moisiu" ishte teatër i dramës, por edhe i satirës dhe i humorit, ku shkëlqejnë emrat e Ramazan Njalës, Fadil Hasës, Muharrem Hoxhës.
Në këtë aspekt ato dallonin nga teatrot e tjerë dhe mirëpriteshin në të gjitha rrethet dhe qytetet e ndryshme, ku ky teatër kishte gjithmonë salla të garantuara si rezultat i aftësisë, talentit dhe i shfaqjeve shumë të bukura që realizonte teatri i Durrësit.
Atje kanë kontribuar regjisorë të ndryshëm duke filluar nga Vangjel Heba, Haxhi Rama, Mario Ashiku, Gjergj Vlashi e deri tek më të rinjtë si Driada Dervishi, etj.
Teatri "Aleksandër Moisiu" mund të kujtohet edhe për vënien e shfaqjes së parë muzikore "Fllad Pranveror", në gjininë e vodevilit, në vitin 1953, me aktorët Ferial Meçule (Alibali), Esma Agolli, etj.
m.s/NOA