Tiranë, 12 Janar NOA - Partia Socialiste i bëri thirrje qeverisë që të nxjerrë urgjent vendimin për t'i dhënë lekë në dorë çdo familjeje që jeton në zonën e përmbytur, që ka humbur tokën, të mbjellat, bagëtinë dhe burimin e përditshëm të jetesës.
Deputetja e PS Eglantina Gjermeni doli para pak minutash në një deklaratë për mediat ku edhe një herë e cilësoi qeverinë si "të votave të vjedhura" dhe komentoi situatën në veri:
"Shqiptarët e kanë tashmë të qartë se katastrofa e ditëve të para të këtij viti të ri, nuk ishte një katastrofë natyrore, por një përmbytje e shkaktuar nga babëzia dhe korrupsioni i kësaj qeverie dhe i një ministri plotësisht të papërgjegjshëm".
"Përmbytja që la mijëra familje pa shtëpi e pa katandi, nuk erdhi si rezultat i ngrohjes globale, apo eklipsit të hënës, siç thotë Kryeministri i votave të vjedhura, por erdhi si rezultat i rënies së shtetit, i mos zbatimit të ligjit dhe rregullave, që e përcaktojnë qartë kuotën limit të nivelit të ujit në digat e hidrocentraleve", - tha Gjermeni.
"Sot, teksa mijëra shqiptare vazhdojnë t'i kenë shtëpitë, bagëtinë, tokat dhe të mbjellat në dorë të fatit, Sali Berishës i ka mbetur vetëm një gjë për të bërë: të dëmshpërblejë me lekë në dorë, çdo familje të dëmtuar. Sot. Tani", - theksoi Gjermeni.
"Për të gjithë këta njerëz, Sali Berisha nuk duhet të premtojë, por të veprojë. Tani. Sot. Të dëmshpërblejë të gjitha familjet e prekura nga përmbytjet, me para në dorë. Të kompensojë qindarkë për qindarkë të gjitha dëmet e shkaktuara. Ky është apeli ynë. Ky është apeli i shqiptarëve", - përfundoi Gjermeni.
e.r/NOA