English

Asnjë i vdekur, përveç Shkodrës

Berisha dhjetë ditë më parë duhet të kishte rreth vetes një ekip që të na vizatonte hartën e përmbytjes dhe pasojat e saj. Në të vërtetë, dhjetë ditë më parë gjithë energjitë e Berishës dhe ekipit të tij harxhoheshin ta mbanin të fshehur tragjedinë dhe të intimidonin median dhe specialistët që po jepnin alarmin

Mero Baze*

Një gazetar i njohur i kohës së Millosheviçit në Beograd, në përpjekje për të portretizuar një shoqëri të traumatizuar nga fatkeqësitë dhe propaganda, sillte në fund të viteve ‘90 një shembull shumë ilustrues. "Nëse merrni një bretkosë dhe e hidhni në ujë të përvëluar, - thoshte ai, - ajo do kërcejë menjëherë nga uji dhe do të shpëtojë. Nëse doni ta vdisni, futeni në ujë të ftohtë dhe ngroheni ujin pak nga pak."

Pak a shumë kjo po ndodh me reagimin e qeverisë dhe publikut për fatkeqësinë në Shkodër, ku kryeministri po lavdërohet për një rrezik që nuk do ekzistonte pa qeverinë e tij dhe po hesht për një pasojë që po ashtu s'do të ishte, po të mos ishte administrata e tij.

Kryeministri Berisha dhe zyrtarët e lartë të qeverisë po vazhdojnë të harxhojnë energji për të interpretuar katastrofën njerëzore që ka pllakosur Shkodrën pas përmbytjeve nga humbja e kontrollit mbi menaxhimin e kaskadës së Drinit, dhe po anashkalojnë detyrën e tyre kryesore, që ka të bëjë me menaxhimin në terren të zbutjes së pasojave të fatkeqësisë. Në një formë shumë qesharake, brenda dhjetë ditëve Berisha ka shpallur vetë fillimin dhe fundin e katastrofës që nuk varej prej tij, dhe nuk ka shpallur dot asnjë plan rehabilitimi dhe shpëtimi për banorët e zonës që janë prekur nga fatkeqësia e shkaktuar prej tij.

Berisha shpalli dhjetë ditë më parë katastrofën, duke e cilësuar digën si "shpatë Demokleu" dhe pas dhjetë ditësh po gëzon për një fitore pa betejë. Diga, sikundër thonë specialistët, nuk ishte në rrezik në asnjë rrethanë, por sjellja e qeverisë dhe menaxherëve të saj ndaj digës ishte e rrezikshme. Në vend që të merrej me ta, Berisha shpalli rrezik digën dhe tani, pas dhjetë ditësh, në vend që të merret me problemet e prodhuara nga menaxherët e urdhëruar prej tij, merret me "suksesin" e vetëshpallur të mosshembjes së digës.

Berisha bëri dhjetë ditë më parë thirrje për evakuim, dhe kjo thirrje u mbështet gjerësisht prej medies, opozitës dhe institucioneve të tjera. Por, nëse media dhe opozita kanë në dorë vetëm të bëjnë thirrje për evakuim, Berisha duhet të kishte gati planin e evakuimit, qendrat e evakuimit, dhe sigurinë e pronave të atyre që po iknin. Berisha nuk kishte dhe nuk ka gati asgjë prej tyre, dhe dhjetë ditë më pas, ai quan operacion "të shkëlqyer" shpëtimi, faktin që njerëzit ia kanë mbathur nga sytë këmbët, jo vetëm prej ujërave, por dhe prej qendrave skandaloze të evakuimit që u ka ofruar Sali Berisha. Në vend që të bëjë këtë bilanc të hidhur dhe t'u kërkojë ndjesë qytetarëve, ai flet për gjërat që nuk kanë ekzistuar dhe punët që nuk ka pas nevojë të bëjë.

Berisha dhjetë ditë më parë duhet të kishte rreth vetes një ekip që të na vizatonte hartën e përmbytjes dhe pasojat e saj. Në të vërtetë, dhjetë ditë më parë gjithë energjitë e Berishës dhe ekipit të tij harxhoheshin ta mbanin të fshehur tragjedinë dhe të intimidonin median dhe specialistët që po jepnin alarmin.

Dhjetë ditë më pas ne ende nuk kemi asnjë specialist të Sali Berishës dhe asnjë kryeministër apo ministër të na tregojë sa do të jetë sipërfaqja e pritshme e përmbytur, cila do jetë harta e saj dhe cilat do të jenë pasojat. Qeveria, njësoj si njerëzit e tronditur, është me sytë nga qielli, pa asnjë vizion dhe pa asnjë plan për t'ia dalë situatës.

Berisha shpreson se, duke gënjyer dhe duke shpikur beteja të fituara, pa i bërë akoma, mund të gënjejë ata fatkëqij që po jetojnë mes ujit me dridhmën e humbjes së gjithçkaje që kanë pasur në jetë.

Sali Berisha shpreson se, duke shpikur shembuj krahasues nga Australia apo Anglia e Franca, mund të ngushëllojë banorët fatkëqij.

Gabohet rëndë. Ballafaqimi i Berishës me ta do të jetë i gjatë dhe shumë përtej kësaj krize. Kur ne të kthehemi në shtëpitë tona dhe mos të transmetojmë më pamje nga përmbytjet, ata njerëz do të kthehen në skëterrat e tyre pa mure, pa suva, pa instalime, pa mobilie, pa gjë të gjallë rrotull tyre.

Ballafaqimi real i Berishës do të jetë me ato qindra biznese që kishin vendosur të gjallonin pranë shtëpive të tyre dhe që tani nuk ekzistojnë më. Beteja e Berishës është me ta. Përtej Shkodrës, në pjesën tjetër të Shqipërisë, kjo fatkeqësi zgjat aq ditë sa shihet në ekrane televizive dhe faqe gazetash.

Për ata fatkëqij do të vazhdojë gjatë dhe s'ka më keq se kur njeriut të uritur i thua nga ekrani që unë të ngopa, njeriut të braktisur i thua që unë të strehova, njeriut të falimentuar i thua të bëra milioner dhe njeriut të fyer i thua të respektova. Nuk është kurrfarë bilanci fakti që nuk ka vdekur asnjë njeri, se nuk ka pse vdes njeri nga përmbytja e ngadaltë.

Nga përmbytja e ngadaltë vdes pak nga pak gjithë zona, gjithë pasuria, gjithë qyteti, gjithë qeverisja. Dhe ato tashmë në Shkodër dhe gjithë zonën e fatkeqësisë kanë vdekur. Berisha duhet të ballafaqohet me këtë bilanc të prodhuar prej tij, dhe jo me bilancet e shpikura dhe zhdukura prej tij.

Ai po i trajton qytetarët e Shkodrës si atë "bretkosën" e bindur që e vdes dalëngadalë duke nxehur ujin, dhe jo duke e hedhur në ujë të përvëluar.

(*) Dërguar nga autori. Qëndrimet e shprehura nuk përfaqësojnë domosdoshmërish vijën editoriale të NOA. Më shumë mbi rregulloren e rubrikës "Opinion" gjeni këtu

KOMENTE