English

Bashkia e Tiranës: Bode mos gënje, paguaj kompanitë private

Tiranë, 12 janar NOA Update - "Ministria e Financave doli sot me një deklaratë të gënjeshtërt për shtyp, ku jo vetëm nuk i jep asnjë përgjigje Bashkisë së Tiranës për shqetësimin e ngritur dje, lidhur me mosshlyerjen e detyrimeve të 24 firmave private që kanë kryer shërbime pastrimi, rikonstruksion çerdhesh dhe kopshtesh, rikonstruksion rrugësh dhe hapësirash publike në Tiranë gjatë vitit 2009, por gënjen duke iu referuar ligjeve dhe neneve pa lidhje me këtë çështje".

Kështu ka deklaruar sot zëdhënësja e Bashkisë së Tiranës, Joana Bushie cila shtoi se

"këtu kam të gjitha praktikat e dorëzuara në afatet e përcaktuara nga Ministri i Financave, me datë 17 dhe 18 dhjetor 2009, ku Bashkia e Tiranës kërkon shlyerjen e detyrimeve nga Thesari i Shtetit, kundrejt firmave që kanë ofruar shërbimet e lartpërmendura.

Punonjësi i Thesarit të Shtetit i ka pranuar ato, për t'i mbajtur në sirtar tre javë dhe për t'i kthyer mbrapsht në 8 janar, pa asnjë justifikim zyrtar, thjesht të pafirmosura, të pavulosura, të pakonfirmuara, d.m.th të bllokuara".

Sipas saj, Thesari i Shtetit i ka kthyer mbrapsht praktikat e Bashkisë së Tiranës më datë 8 janar dhe po t'i referohemi deklaratës së Ministrisë të Financave, e cila thotë se buxheti është hapur që datën 1 janar, të gjithë lehtë mund të kuptojmë se sa gënjeshtra përmban kjo deklaratë e Ministrisë së Financave.

"I bëjmë thirrje Ministrisë së Financave dhe Thesarit të Shtetit, të kryejnë detyrimet e tyre të përcaktuara qartësisht nga ligji dhe të paguajnë sipas praktikave të paraqitura nga Bashkia e Tiranës, të gjitha kompanitë private që kanë ofruar shërbime për kryeqytetin gjatë vitit 2009, pasi nuk është problem i qindra punonjësve të këtyre kompanive, arka e boshatisur e shtetit.

Fatkeqësisht konstatojmë se i vetmi mjet që i ka mbetur kësaj qeverie për t'u justifikuar para opinionit publik është gënjeshtra, por i kujtojmë se gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra - thotë populli" përfundoi Bushi.

k.k/NOA - Lexoni si nisi polemika

KOMENTE