English

Drejtoria për Energjinë e Evropës Juglindore: Përmbytjet, situata po menaxhohet mirë

Tiranë, 12 Janar NOA - Drejtori i Komunitetit për Energjinë të Evropës Juglindore në një letër që i ka dërguar ministrit shqiptar të Ekonomisë, shprehet me tone të larta vlerësimi duke vlerësuar se situata e përmbytjeve po menaxhohet me profesionalizëm.

Pohimi i drejtorit të "Energy Community", Slavtcho Neykov u bë nëpërmjet një letre, në emër të sekretariatit të këtij komuniteti për energjinë në Europën Juglindore, dërguar dje Ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti.

Në letër shprehen konsiderata për Priftin dhe për institucionin që ai drejton për menaxhimin efektiv të situatës kritike të krijuar në vend nga përmbytjet në pjesën veriore të vendit.

"Shirat dhe dëbora e vitit të fundit kanë shkaktuar prurje shumë të mëdha duke krijuar një gjendje të emergjencës civile, dhe për këtë vlerësohet ndërhyrja tepër profesionale e qeverisë për shkarkimin e ujërave për të siguruar një ekuilibër të sigurt për të ardhmen, duke iu larguar një rreziku më të madh", - shkruan Slavtcho Neykov.

Ai shpreh sigurinë e tij se qeveria shqiptare do të marrë të gjitha masat e tjera të nevojshme në interes të popullit shqiptar dhe se monitorimi kaq i mirëfilltë dhe i vazhdueshëm ka siguruar kujdesin ndaj jetës së njerëzve dhe ka ndaluar rrezikshmëri të tjera më të mëdha.

Gjithashtu Slavtcho Neykov shpreh keqardhjen e tij për ato 10 mijë hektarë dhe më shumë se 2.400 shtëpi të përmbytura dhe rreth 5 mijë njerëz që janë evakuuar nga shtëpitë e tyre duke vlerësuar besimin e tij se situata është nën kontroll të mirëfilltë dhe profesional.

e.r/NOA

KOMENTE