FOTOT
Shkodër, 12 Janar NOA Foto Update - Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama së bashku me deputetët e qarkut Durrësit e të Shkodrës ishin sot në komunën e Dajçit dhe të Velipojës, në disa fshatra të kësaj komune. Deputetët që shoqëronin Edi Ramën, ishin Blendi Klosi, Klodiana Spahiu, Ilir Beqja e Tom Doshi.
Për të shkuar në komunën e Velipojës është dashur të udhëtohet me një motobarkë, në rrugën nga Dajçi në Velipojë.
Gjatë rrugëtimit me motobarkën që udhëtonte në një zonë që dukej si liqen, Rama dhe deputetët, panë bagëti të ngordhura në ujë, shtëpi të cilave iu dukeshin vetëm çatitë dhe ujësjellësin e komunës i cili ishte tërësisht nën ujë dhe jashtë funksionimit.
Flasin banorët
"Kam 30 vjet që kam ardhur në Velipojë ujë kështu s'ka ardhur kurrë", - shprehet një banor i zonës ndërsa takohet me deputetët socialistë.
"Po të ishin hapur portat me kohë s'ishte bërë kjo punë", - vlerëson ai duke akuzuar: "Shet energjinë shtrenjtë dhe populli ngel pa hangar. S'bëhet kështu. Ndaj të mbajë përgjegjësi deri në një, jo Dritan Prifti po Sali Berisha. Se Dritan Priftin e urdhëron Sali Berisha".
Një grua, banore e zonës, duke treguar se ka pesë fëmijë thotë se ka vështirësi për t'i ushqyer: "Kam ble tokë e lopë, i kam mbajt me pikë të zorit, më kanë ngordh edhe ato. Ky është shteti që ka marrë Sali Berisha, që votojnë të tanë këtu për Sali Berishën", - flet banorja plot mllef.
Kurse një tjetër banor thotë se "nga asnjeri nuk kemi informacion të saktë për këtë problem".
Ndërsa vlerëson se ndihmat që vijnë janë të pakta dhe apelon: "Çdo njeri, majtas e djathtas, të çohet në këmbë t'i ndihmojnë këta njerëz, sepse ekonomia e tij ka shkuar në zero. Sot për sot nuk kam besim te ky shtet, se më ndihmon apo jo".
Një tjetër banor tregon se ka tre ditë që shkon te kryetari i Komunës, "me i thënë fjalën, me më gjet një gomone, ai më thotë po ta bie sot po ta bie nesër". Banori është i shqetësuar se "uji po rritet, nuk di se çfarë rruge me ndjek unë" dhe thekson" "Nuk ka shtet, për zonën e Velipojës".
Kurse një banor tjetër paralajmëron se nëse argjinatura nga Larasi në Pentar do të mbytet, do të mbytet gjithë biznesi, gjithë fshati.
"Nëse ka një specialist që mundet më thotë se shkon uji përpjetë, jam dakord. Gjendja në Komunën e Velipojës, është se blegtoria ka mbaruar, nëse shteti nuk do marrë masa e me e kalu në asistencë, sepse 80 % e popullit në këto zona nuk ka mundësi të marrë një bidon vaj", - shprehet banori i shqetësuar.
Rama dhe deputetët e tjerë
Kryesocialisti në takimin me banorët tha se e shikonte si domosdoshmëri që kriteret e dëmshpërblimit të jenë gati dhe që në momentin e përcaktimit të dëmeve, menjëherë të lëvrohet fondi i domosdoshëm për t'i dëmshpërblyer deri në qindarkën e fundit këta njerëz.
"Ashtu si kundër është e domosdoshme, - vijoi Rama, - që qeveria të nxjerrë një fond asistence të menjëhershme ekonomike dhe sociale për këto familje, duke u dhënë para në dorë, në mënyrë që të përballojnë nevojat e tyre".
r.d/e.r/NOA