FOTOT
Tiranë, 13 Janar NOA - Federata e Paqes Universale, thotë se nuk është koha për të gjetur përgjegjësitë që, në këto raste, janë kolektive dhe afatgjata, por, është koha që të tregojmë se sa e duam njëri-tjetrin, sa dhembshuri dhe solidaritet mund dhe duhet të tregojmë.
Flamur Shehu, Kryetar i Këshillit Kombëtar të Federatës së Paqes Universale Shqipëri, deklaro se kjo organizatë po ndjek me vëmendje situatën e rëndë të krijuar në Shkodër dhe rrethinat e saj pas shirave të vazhdueshëm dhe kushteve të këqija të motit që kanë sjellë edhe përmbytjen e shumë tokave dhe largimin e banorëve nga shtëpitë e tyre.
"Duke qenë se e ndjejmë se kjo fatkeqësi nuk është vetëm e atyre njerëzve të prekur nga përmbytjet dhe, duke pasur parasysh se parimi i solidaritetit është një nga parimet universale që mbështet Federata e Paqes, ne, Ambasadorët për Paqe të Shqipërisë me anë të kësaj deklarate shprehim mbështetjen tonë morale për të gjithë bashkëqytetarët që po vuajnë", - thuhet nw deklaratën e Shehut.
Njëkohësisht, jemi të gëzuar për faktin që, deri tani, me ndihmën e Zotit, nuk ka pasur asnjë viktimë, - konstaton Federata.
Ne mbështesim, - vazhdon deklarata, - përpjekjet për ndihmë nga të gjitha palët, përfshi edhe komunitetin ndërkombëtar, shpresojmë dhe lutemi që e gjitha kjo të përfundojë sa më shpejt dhe shqiptarët të jenë të lirë të ndjekin aspiratat e tyre evropiane.
Së fundi, FPU i bën thirrje të gjithë Ambasadorëve për Paqe dhe dashamirësve të FPU që të japin kontributin e tyre në numrin e llogarisë të hapur për këtë qëllim në emër të Federatës së Paqes Universale, 0100817777 në Lekë dhe 800181777 në Euro në degët e bankës Raiffeisen.
e.r/NOA