Tiranë, 12 Janar NOA - Një 48-vjeçar i dënuar për vrasje në Shqipëri, kapur vitin e kaluar në Itali me dyshime për trafik droge, është ekstraduar nga kryeqyteti italian Romë, përmes Zyrës Qendrore Kombëtare Interpol Tirana.
Gjoleka Zylyftar Misiraj, 48 vjeç, nga Fieri, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Rrethit Berat, me vendimin nr. 134, datë 17 shtator 2007, e ka dënuar me 19 vjet burgim, për kryerjen e veprave penale të "Vrasjes me paramendim" në bashkëpunim dhe "Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake".
Vendimi u dha dhjetë vjet pasi më 27 korrik 1997, rreth orës 15.30, Gjoleka Misiraj, në bashkëpunim me persona të tjerë, në fshatin Allambrez, Berat, ka qëlluar me armë zjarri shtetasin Kastriot Shehu, duke i shkaktuar vdekjen.
Motivi i kryerjes së kësaj vrasjeje ka qenë hakmarrja pasi viktima kishte vrarë një muaj para se të ekzekutohej vetë, vëllain e një prej dy bashkëpunëtorëve të Misirajt, bën të ditur policia dhe media italiane.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën në datën 30 maj 2009, u bë i mundur arrestimi, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë i Gjoleka Misiraj.
I ekstraduari i sotëm ishte arrestuar mbrëmjen e 30 majit të kaluar në stacionin e trenit të Poggibonsi, pas dy muajsh që ai ishte nën hetim nga policia italiane.
I dyshuari akuzohej si pjesë e një grupi trafikant shqiptaro-italian dhe ishte pa leje qëndrimi të rregullt në vendin fqinjë.
e.r/NOA