Tiranë, 12 Janar NOA - Me iniciativën e Njësisë Bashkiake Nr. 10 Tiranë, të KRSH-së dhe ZMK-së krijohet Koalicioni për Mbështetje Sociale të Fëmijëve në Zonat e Përmbytura i cili do të kujdeset për jetën sociale dhe rekreative të fëmijëve në zonat e përmbytura në Veri të Shqipërisë.
Sot në Njësinë Bashkiake Nr 10, është thirrur Mbledhja e Parë e Koalicionit për Mbështetje Sociale të Fëmijëve në Zonat e Përmbytura (KMSF). Ky Koalicion u krijua fillimisht nga Njësia Bashkiake Nr. 10 Tiranë, Këshilli Rinor Shqiptar (organizatë ombrellë e OJF Rinore) dhe Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve dhe tashmë është zgjeruar me dhjetëra organizata joqeveritare dhe subjekte të tjera private dhe publike që duan të ofrojnë shërbime dhe mbështetje për fëmijët në zonat e përmbytura.
Nga të dhënat e mbledhura në terren nga koordinatorët e Këshillit Rinor ka rezultuar se fëmijët janë pjesa më vunerabël e popullsisë së goditur nga këto përmbytje natyre dhe ata po përballen çdo ditë me një situatë shumë të vështirë përfshirë të ftohtin, lagështirën, dietën e kufizuar nga kushte objektive, mungesën e kushteve të përshtatshme për shkollim dhe mësim, mungesën e vëmendjes së prindërve si pasojë e stresit dhe angazhimeve të tyre rrethanore, si dhe humbjeve të pariparueshme dhe të riparueshme të bazës materiale didaktike dhe rekreative në kushtet shtëpiake, shkollore apo komunitare. Gjithashtu duke pasur parasysh situatën e rënduar psikologjike që ata i rrethon, ndihet rreziku që në raste të caktuara tek fëmijët të mbeten pasojat psikologjike të kësaj gjëndjej.
Ajo që vihet re për momentin është se si në çdo rast katastrofash natyrore, fëmijët kanë nevojë për një përkujdesje të veçantë sidomos në rastet kur ata kanë humbur apo u janë dëmtuar shtëpitë dhe ndodhen në qendra pritjeje kolektive.
Duke qenë se Kryetari i Njësisë Nr. 10 Blendi Fuga ka qenë një ndër ekspertët e njohur në organizimin e punës dhe trajtimin e fëmijëve në terren në raste krizash humanitare siç ka qenë eksperienca e tij në vitin 1999 gjatë kohës së krizës së Kosovës, ai thirri dy organizata shumë aktive në organizim dhe pjesëmarrje përkatësisht Këshillin Rinor Shqiptar (e vlerësuar pas krizës kosovare në 2000 nga USAID me çmimin e shoqërisë civile edhe për kontributin vullnetar për trajtimin e fëmijëve kosovarë) dhe Zyrën për Mbrojtjen e Konsumatorëve (e njohur për rolin e saj aktiv në organizimin në terren) për të ngritur një skuadër të shoqërisë civile e cila duhet të punojë në terren për të ofruar shërbime mbështetje sociale për fëmijët në qendrat e pritjes.
Në mbledhjen e parë, Koalicioni diskutoi mbi kapacitetet e mundshme që mund të ketë Koalicioni për t'iu përgjigjur nevojave konkrete në terren, dhe përfaqësues nga institucionet ndërkombëtare si UNICEF dhe UNV ofruan edhe asistencë teknike për të modeluar një kontribut profesional dhe efiçent.
Koalicioni konsideroi si target të veprimtarisë së vet fëmijët e moshës deri në 18 vjeç në zonat e përmbytura ndërsa si zonë veprimi ndërsa zona e veprimit në dhënien e shërbimit do të jenë zonat e përmbytura dhe qendrat në të cilat ndodhen banorët e evakuuar.
Me qëllim sigurimin e mbështetjes së fëmijëve në zonat e përmbytura do të kërkohet mbështetja e qytetarëve dhe subjekteve të ndryshme private dhe jofitimprurëse në të gjithë Shqipërinë duke e filluar veprimtarinë në territorin që mbulon Njësia Bashkiake Nr. 10 në Tiranë.
Aktiviteti i propozuar përgjatë diskutimeve të anëtarëve të Koalicionit janë si më poshtë:
1. Zgjerimi i Koalicionit me të gjithë aktorët që operojnë në këtë fushë apo që duan të kontribuojnë duke synuar optimizimin e kontributeve të fokusuar në aspektin social pa ndërhyrë në mbështetjen materiale e cila mbetet një prioritet i banorëve në ato zona.
2. Krijimi i skuadrave operative në terren me vullnetarë të Koalicionit, skuadra të cilat do të ofrojnë mbështetjen sociale dhe aktivitete rekreative për fëmijë duke përfshirë në pjesën e parë të krizës fëmijët në qendrat e pritjes kolektive dhe pas rënies së ujërave edhe në fshatrat e përmbytura.
Për këtë qëllim do të përdoret Qëndra e Lëvizshme "IfoBus Njësia 10", i cili është një automjet i përshtatur për zyrë për punë në terren e cila do të shërbejë edhe si kinema e lëvizshme, teatër kukullash i lëvizshëm, bibliotekë e lëvizshme, qendër didaktike e lëvizshme, etj.
3. Organizimi i një fushate solidariteti me qytetarët shqiptarë duke filluar me komunitetin e Njësisë Nr. 10 dhe më gjerë, për dhurimin e librave për fëmijë, lodra, materiale didaktike dhe sportive si dhe librave shkollorë (si një nevojë për dëmet e konstatuara në ditët e fundit nga koordinatorët e Këshillit Rinor në zonat e përmbytura).
4. Ngritja e një infrastrukture paraprake për rekrutimin dhe organizimin e vullnetarëve nga e gjithë Shqipëria të cilat do të angazhohen pas rënies së ujërave për të ndihmuar në pastrimin dhe rehabilitimin e shkollave të përmbytura.
5. Krijimi i një programi afatgjatë mbështetjeje për fëmijët në zonat e përmbytura duke përfshirë edhe aftësimin për jetën dhe aktiviteti rekreative në vazhdim.
Koalicioni vendosi që të fillojë nga puna për realizimin e këtyre objektivave dhe zyra e Koordinimit do të jetë Njësia Nr. 10.
Anëtarët e Koalicionit:
1. Njësia Bashkiake Nr.10
2. ZMK (Zyra e Mbrojtjes së Konsumatorit)
3. KRSH (Këshilli Rinor Shqiptar)
4. UNICEF
5. UNV/UNDP
6. CRCA - ANCH
7. KRIIK
8. YËCA Albania
9. Lëvizja "Zgjohu"
10. AS@N (Rrjeti i studentëve shqiptarë në botë)
11. Aleanca e Femijeve
12. Pedagogë dhe studentë nga Akademia e Arteve
13. ARZHB
14. Studentët për Studentët
15. KOASh (Kisha Ortodokse Shqiptare)
16. Këshilli Ndërfetar Shqiptar
17. Albania Youth Press
18. Parlamenti Rinor Europian
19. Grupi Rinor i të Drejtave të Njeriut
20. Qëndra Rinore Vlorë
21. Klubi Ambientalist Studentor Shqiptar - KSASH
22. Këshilli i Shoqatave Rinore Durrës
23. Zyra Qytetare për Mbrojtjen e Mjedisit - ZQMM
24. Shoqata 16+
25. Youth Shaker
26. Aksion +
27. ELY Albania
28. Shkolla "Çelësi Magjik"
29. Shkolla "Dora d'Istria"
30. Shkolla "Konferenca e Pezës"
31. Shkolla "Avni Rustemi"
32. Shkolla "Qemal Stafa"