Tiranë, 12 janar NOA - Ministria e Financave ka lëshuar sot një deklaratë për shtyp me anë të së cilës e ka quajtur propagandistik njoftimin e një dite më parë të bashkisë së Tiranës për përdorimin e buxheteve nga njësitë e qeverisjes vendore.
"Buxheti i vitit 2010 është vënë në dispozicion të gjithë përfituesve nga fondet e autorizuara prej tij që në dt 1.01.2010 dhe pagesat për to bëhen pa asnjë lloj kufizimi nga Thesari i cili disponon mjetet monetare në masë të plotë të shumave të programuara në ligjin e buxhetit 2010.
Të gjitha fondet e papërdorura gjatë vitit 2009, përfshi dhe grantet konkurruese për njësitë e qeverisjes vendore, janë të trashëgueshme në masën 100 për qind për vitin 2010 dhe se ato mund të përdoren vetëm nga njësitë e qeverisjes vendore" deklaroi sot ministria e Financave e cila shtoi se Bashkia e Tiranës dhe njësitë e qeverisjes vendore që ende nuk kanë miratuar buxhetin e vitit 2010, deri në miratimin e tij, do të shërbehen në degët e thesarit në përputhje me ligjin, pra do të autorizohen të kryejnë çdo muaj shpenzime deri në 1/12 e shpenzimeve faktike të buxhetit vendor në vitin buxhetor paraardhës.
"Bashkia Tirane dhe çdo njësi e qeverisjes vendore mund të paraqesin në çdo moment dokumentacionin përkatës pranë degëve të thesarit për kryerjen e shpenzime të pa paguara gjatë vitit 2009, në përputhje me pikën 3 si më sipër.
Dega e Thesarit në Tirane dhe në të gjithë vendin nuk kanë penguar, përkundrazi kanë bashkëpunuar dhe ndihmuar përfaqësuesit e qeverisjeve vendore me asistencë për mënyrën e zbatimit korrekt të ligjit.
Ftojmë bashkinë e Tiranës që të lerë mënjanë retorikën politike dhe të hartojë dhe miratojë në kohë buxhetin e saj për vitin 2010" deklaroi më tej ministria e Financave.
k.k/NOA - Lexoni replikën e Bashkisë së Tiranës