English

Përkthyesi me flatra

In Memoraim për Dritan Çela

Nga Milena Selimi

Dritan Çela do të ishte 40 vjeç sot, përkthyesi më i ri dhe i talentuar I brezit të tij. Humbja e tij e parakohshme ishte një ikje e rëndë jo vetëm për familjen, fëmijët, miqtë dhe të afërmit, por edhe për mjeshtrat e letërsisë që vinin mjeshtërisht në përkthimin e tij.

Mësuam të donim Buzzatin, Tamaron, Calvinon, Pirandelon, të sjellë nga pena e Tanit. Në hartën e letërsisë shqipe është shfaqur si një ajsberg që lundron në detin e dhimbjes duke u përplasur rëndshëm në brigjet e kujtimeve, emri i përkthyesit Dritan Çela. Ka ndodhur kjo nëpërmjet përkthimeve të magjishme, në një udhëtim të gjatë drejt lexuesit shqiptar derisa ndali udhëtimin e vet duke ia lënë amanetin e tij librit të të atit Zija Çela "Për dashurinë shkruhet pas vdekjes". Nderim për veprën dhe punën e tij. Po sjellim në këtë përvjetor të tij disa nga mendimet e shkrimtarëve, publicistëve dhe gazetarëve shqiptarë.

Aleksandër Çipa: "Dritani është një model i vërtetë i intelektualit dhe krijuesit shqiptar që u përball me dy fronte të pazhurshme dhe të rëndë: Atë të jetës së vet familjare si emigrant dhe atë të jetës së vet krijuese po si emigrant. Në letërsinë e sotme shqipe nuk ka sistem njohës për shkak të shpërndarjes dhe më së shumti për shkak të gjeografisë së tejzgjeruar të emigrimit të shkrimtarëve shqiptarë. Dritan Çela ishte shkrimtari-përkthyes i post '90-ës. Me një valencë të lartë formimi letrar dhe me një shkollë formimi të pazakontë edhe për shkak të atmëmësisë së tij. Buxati dhe Kalvino të sjellë në shqipen tonë prej Dritan Çelës, kërkojnë rilexim. Pirandelo, Baricco dhe Sciascia janë prurja e tij që meriton përfshirje në antologjinë e zgjedhur të përkthimit shqiptar. Dritani ishte i aftë në shqipitalishten e vet, si një Kokonë i ri , i cili natyrisht mbetet model i madh në shqipfrëngjishten e tij. Periudha e emigracionit dhe së fundi ndërprerja harbute prej frymëheshtjes, na rikujtojnë se këtë letërsi dhe kontribut, me peshë, në kulturën kombëtare, duhet ta njohim dhe ta vlerësojmë për sot dhe për të nesërme".

Arian Leka: "Do të ishte e mjaftë të sillnim në kujtesë repertorin e gjuhës baladeske tek "Shtegtimi i Unazës" të Carine Abate, për të kaluar më pas tek natyra përsiatëse plot kurthe abstrakte të "Dyshimi" të Luciano de Crescenzo-s, gjuhën që përcjell gjithë ankthin e absurdit të "Shkertëtirës..." dhe njëkohësisht fjalët majhoshe, gjithë farfurimë të kapitujve fjalëpakë të "Mëndafshit" të Alessandro Baricco-s, stilin pasionant të "Thuaj zemrës, po" të Suzana Tamaro-s, përballë fluturimeve ngulmuese që të lënë pa frymë të Italo Calvino-s tek "Komikat Kozmike" - vepër kjo që bën pjesë në fondin më të përzgjedhur e më të rekomanduar të letërsisë së shekullit XX - për të provuar përherë atë shije lirie me të cilën ky përkthyes punoi. Mbase kishte qenë shenjë, por që nuk e kuptuam në kohë, edhe përkthimi i veprës së tij të fundit nga shqipja në italisht "Fiabe albanesi", shenjë që jo domosdoshmërisht fillon si përrallat me fjalët "Na ishte një herë..." por ftesë që secili mund ta pranojë me miradijë në çdo kohë dhe moshë, gjersa të mbetet qoftë edhe një lexues që di të çmojë të bukurën si jetë dhe si letërsi ardhur prej një njeriu i cili, më shumë se me atë që u përfol si sëmundja e tij, jetoi me sindromën e Piter Panit dhe shkoi pa e vrarë fëmijën në shpirt".

Agron Tufa: "Tani kishte një marëdhënie me shkrimtarët dhe veprat që donte, të cilën mund ta quajmë, në kuptimin më të mirë të fjalës - qasje xheloze. Nga bisedat për shkrimtarë të ndryshëm italianë, të cilët ai i njihte si askush tjetër, Tani nuk nxitohej, nuk bënte projekte për të sjellë në kohë rekord dhe me çdo kusht në shqip "të mëdhenjtë". Madje atij i dukej e pakuptueshme mania e nxitimit, për të përkthyer sa më shumë shkrimtarë e vepra. Ai kishte përshtypjen se shumica e përkthyesve, binte dashje pa dashje në sindromën e një gare atletike. Tani kishte jo vetëm qetësinë dhe ajgëtimin e një profesionisti, por edhe mahninë vetjake që është një atribut poetësh. Vetë pozicionimi i tij në letërsinë e autorëve që adhuronte, ishte qasje me dashuri e brishtësi ndaj "zemrës", ku pulson arteria më poetike e shkrimtarit. Kemi biseduar për prozën e Italo Calvinos (të cilin e ai e donte shumë), për mundësinë e përkthimit të romaneve të tij si "Qytete të padukshme", "Viskonti i përgjysmuar" apo "Baroni rebel", por Tani buzëqeshte, thoshte që "presin" dhe vetëm kur botoi "Komikat kozmike", u binda për marrëdhëniet e veçanta të Tanit ndaj gjërave që përkthente".

Visar Zhiti: "Ndoshta prandaj, shpesh, e ndiej nevojën të shfletoj Buzzati-n në shqip, tregimet e tij dhe atë romanin me kështjellë, ku vazhdimisht presim, presim, teksa na ikën herë-herë çfarë kemi më të shtrenjtë. Dhe ne presim këmbëngulës, si Krishtin, presim dritën, buzëqeshjen, fjalën, vetë vdekjen për t'u grindur me të. E shfletoj atë libër me kështjellë jete edhe për të dëgjuar fëshfërimën e erës, e cila sikur thotë emrin e Dritan Çelës mbi mermerin e varrit të tij. E di që është shumë pak. As libri tronditës i babait "Për dashurinë shkruhet pas vdekjes" nuk mjafton. Ti bëre më shumë, Dritan. Me gjithçka".

Përkthime nga Dritan Çela

Vincenzo Sciascia Përrallë lirie (Shtëpia botuese "Apolonia", 1992) Dino Buzzati: Gruaja me flatra (Shtëpia botuese "Naim Frashëri", 1993) Dino Buzzati: Shkretëtira e Tartarëve (SHBL 1995, "LETRAT" 2002) Dino Buzzati: Një dashuri (Shtëpia botuese "LETRAT", 2002) Suzana Tamaro: Thuaj zemrës po (Shtëpia botuese "Çabej", 1996) Carmine Abate: Shtegtimi i unazës (SHBL, 1994) Luigi Pirandello: Një, asnjë dhe njëqindmijë (Shtëpia botuese "Sejko", 2002) Luciano de Crescenzo: Dyshimi (Shtëpia botuese "Naim Frashëri", 1998) Italo Calvino: Komikat kozmike (Shtëpia botuese "LETRAT", 2002) Alessandro Baricco: Mëndafshi yt, zonjë (Shtëpia botuese "LETRAT", 2003) Fiabe albanesi (Përralla shqiptare - BESA - përkthim nga italishtja në shqip, 2005)

KOMENTE