Tiranë, 12 janar NOA - Policia e Tiranës ka gjobitur gjatë 24 orëve të fundit 185 drejtues mjetesh ndërsa po vazhdon aksionin e saj ndaj shoferëve debitorë.
"Shërbimet e Policisë së Tiranës do të vazhdojnë me intensitet punën për parandalimin e aksidenteve në rrugë dhe në krijimin e lehtësirave për lëvizjen e lirë të mjeteve, në përputhje me legjislacionin rrugor, me qëllim parandalimin dhe uljen e aksidenteve rrugore. Në këtë kuadër, kontrolle të shumta po ushtrohen në drejtim të vendosjes së rripave të sigurimit, kaskës mbrojtëse, kontrollit të shpejtësisë, përdorimit të alkoolit nga drejtuesit e mjeteve, parkimet e gabuara etj. Po ashtu, kontrolle të vazhdueshme do të ushtrohen kryesisht për parkimet e gabuara, apo parkimet dyshe në akset e qytetit të Tiranës" deklaroi sot policia e kryeqytetit e cila shtoi se shërbimi i Policisë së Tiranës, fton të gjithë drejtuesit e automjeteve, në ndërgjegjësimin e tyre për të zbatuar me përpikmëri normat dhe rregullat e Kodit Rrugor. Kështu, vetëm gjatë 24 orëve të fundit policia ka gjobitur 185 drejtues mjetesh dhe ka pezulluar 3 leje drejtimi.
k.k/NOA