Tiranë, 12 Janar NOA/Milena Selimi - "Shkodra, qyteti i Marubëve po përjeton përmbytjen prej 8 ditësh. Le të gjejmë të gjithë një mënyrë për të shpëtuar qytetin e kulturës dhe të fototekës Marubi. Le të bëjmë të gjithë bashkë diçka për Shkodrën". Me këto fjalë Shkolla Shqiptare e Fotografisë është një nga institucionet artistike në vend që kërkon të gjejë një mënyrë për të ndihmuar familjet e përmbytura nga reshjet e javëve të fundit.
Ekspozita e ditës së shtunë në datën 16 janar 2010 në orën 18.00 në FotoBarin e radhës, i cila do të sjellë miqtë e Projekt 5.6 që kanë ndaluar çaste fotografimi në ditën e ndërrimit të viteve.
Sipas drejtuesve të kësaj shkollë kjo mbrëmje i kushtohet edhe solidaritetit të miqve të fotografisë për popullsinë e Shkodrës.
Shumë prej tyre kanë dërguar fotografi, të cilat do të stampohen e do të shiten atë mbrëmje.
Shuma e mbledhur do të dorëzohet në një nga numrat e llogarisë të hapura për këtë qëllim. Organizatorët ftojnë komunitetin e fotografëve te dhurojnë fotografi, shitja e të cilave do të shkojë në ndihmë të banorëve të Shkodrës.
Projekt 5.6, një shkollë mbi fotografinë në Tiranë, Shqipëri, kërkon të sigurojë një përgatitje serioze e të gjithanshme të njerëzve, që vijnë nga profesione të ndryshme, për të hyrë në fushën e fotografisë. Misioni i Projekt 5.6 është rigjallërimi i bashkësisë së fotografëve në Shqipëri.
m.s/e.r/NOA