Duhet përmendur pak këtu e vërteta se kodi elektoral ishte produkt i pazareve të rrufeshme të fshehta para votimeve të z. Sali Berisha, që është në pushtet, dhe të z. Edi Rama, që po lufton egër t'ia marrë atë me çdo kusht
Nga Genc Mlloja*
Në situata të fatkeqësive natyrore kur jeta e njerëzve dhe pasuritë e tyre vihen në rrezik ekstrem është e natyrshme që krahas përpjekjeve të brendshme sytë të hidhen edhe jashtë vendit për mbështetje materiale dhe morale. Dhe në botën e sotme në situata të tilla kjo nuk mungon dhe Shqipëria po provon një rast tjetër të kësaj natyre pas përmbytjeve katastrofike në Shkodër dhe Lezhë, ku doli në plan të parë edhe presioni i fortë psikologjik mbi banorët e atyre zonave dhe këdo në fakt nga rreziku i frikshëm i çarjes së digave në kaskadën e lumit Drin.
Nuk është se munguan siguritë e dhëna brenda vendit, por lehtësimi i vërtetë se asgjë nuk mund t'u ndodhte atyre në rrethanat e tanishme u ndje fort pas deklaratave të këshilltarit special për digat të kryeministrit Italian Silvio Berluskoni, Roberto Guercio, i cili erdhi në Shqipëri në kulmim e situatës kritike.
Guercio nuk nguroi që me kompetencë të plotë të jepte siguri dhe garanci se nuk do të kishte probleme në digat dhe se asgjë e keqe nuk do t'u ndodhte atyre. Ai nuk nguroi të bënte deklarata të tilla qetësuese bindëse ne televizione, radio dhe media të shkruara të vendit, duke garantuar në të njëjtën kohë ndihma të mëtejshme të Italisë në fushën e energjisë dhe të sigurisë.
Konstatimet e tij të rëndësishme publike në ato ditë të kulmit të gjendjes kritike u pasuan edhe me ndihma konkrete nga vendet fqinjët, ata të Bashkimit Europian e përtej që tashmë janë në terren edhe me ekspertë, duke kontribuar në përballimin e përmbytjeve të mëdha dhe të vështirësive të krijuara prej tyre, që nuk janë të vogla.
Trupi diplomatik në Tiranë ishte ndër të parët që u informua për gjendjen nga ministri i jashtëm, Ilir Meta, ai i Energjetikës Dritan Prifti, zëvendësministri i Brendshëm Ferdinand Poni dhe nivele të tjera qeveritare. Nuk u hezitua por me argumente konkrete dhe transparente iu kërkua ambasadorëve që vendet e tyre të kontribuojnë në përballimin e situatës brenda mundësive të tyre, gjë që, sikurse po rezulton, u mirëprit dhe po veprohet menjëherë.
Këta veprime qoftë për konsulence apo ndihma materiale në drejtim të ndërkombëtarëve në këto situata tepër të rënda dhe dramatike kur jeta e njeriut qëndron në krye të çdo gjëje, janë të natyrshme dhe duhen përshëndetur dhe nxitur. Kam shumë predispozicion ta theksoj këtë kur i druhem përpjekjeve publike aty-këtu për ta nënvleftësuar e madje në ndonjë rast edhe injoruar ndihmën e ndërkombëtarëve dhe përvojën e tyre.
Në një rrethanë të tillë nuk mund të mos kujtoj diçka nga një përvojë e të kaluarës. Më 8 janar të vitit 1988 Shqipëria, kryesisht zona të Tiranës dhe Dibrës, u goditën nga një tërmet i fortë, i cili fatmirësisht nuk shkaktoi viktima në njerëz, por dëme materiale pati. Rastisi që në atë kohë të isha në Nju Jork si këshilltar i Misionit shqiptar pranë Kombeve të Bashkuara. Akoma kujtoj shqetësimin e madh kur në ndonjë televizion atje po thuhej se ishin çarë edhe digat në kaskadën e Drinit. Por shpejt u sqarua çdo gjë se asgjë e asaj natyre nuk kishte ndodhur.
Duke ndjekur shembullin e vendeve të tjera në raste të tilla fatkeqësish natyrore edhe ne si Mision iu drejtuam për ndihmë humanitare zyrës qendrore të Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP) dhe konkretisht zonjës Luin Miller, e cila ishte përgjegjëse për projektet e kësaj organizate në Shqipëri. Një përpjekje të tillë e ndërmorëm edhe sepse me këtë zyrtare shembullore të UNDP-së kishim vendosur raporte tepër miqësore dhe ajo e njihte shumë mirë Shqipërinë, ku kishte ardhur disa herë.
Duhet thënë që në fillim se ishte e njohur politika e atëhershme e regjimit komunist për të mos pranuar ndihma të huaja në asnjë situatë, përfshi edhe fatkeqësitë natyrore, por duke patur parasysh një frymë disi më liberalizuese të bashkëpunimit me organizata ndërkombëtare si UNDP nga fundi i viteve 1980 u pa e udhës nga ne në Nju Jork të bëhej një përpjekje.
Përpjekja u bë dhe përgjigja erdhi shpejt nga znj. Miller për një ndihmë të menjëhershme materiale për të dëmtuarit në vlerën e 50,000 USD. Pa u zgjatur shumë, ndihma u kundërshtua nga Tirana zyrtare, e cila ndërkohë na udhëzonte se fondi pranohej por në formën e pajisjeve teknike dhe specializimeve jashtë… Kështu u hoq dorë nga ajo vlerë ndihmash materiale për të dëmtuarit nga tërmeti edhe pse nuk është shumë e largët ajo kohë dhe kujtesa është e freskët për gjendjen tejet të vështirë ekonomike, që kishte pllakosur vendin nga fundi i viteve 80.
Shumë ujëra kanë rrjedhur e gjërat kanë ndryshuar dhe edhe në rastin e tanishëm po ndjehet fort mbështetja e organizuar ndërkombëtare. Dhe konkretisht ata që po e ndjejnë dhe do ta ndjejnë më shumë atë janë banorët e zonave të goditura nga përmbytjet.
Kësisoj deklarata të natyrës se "gjendja në Shkodër nuk ka nevojë për deklarata të ekspertëve të huaj, por ndërhyrje të shpejtë" apo se ka mjaft specialistë vendas dhe janë të tepërt të huajt të dëgjuara ditët e fundit aty-këtu ka mundësi të jenë pasionante, të momentit apo të ngarkuara me "emocione" të politikës partiake të çastit.
E me këtë ngarkesë emocionale duhet të jenë edhe ato deklarata që janë dëgjuar shpesh në lidhje me votimet e 28 qershorit të vitit të kaluar në të cilat thuhet pak a shumë se në Shqipëri "jemi ne zot dhe jo të huajt" në përgjigje të qëndrimeve dashamirëse të ndërkombëtarëve, përfshirë edhe të disa ambasadorëve në Tiranë, për të kapërcyer konfliktin maxhorancë-opozitë për rezultatin e zgjedhjeve. E duhet përmendur pak këtu e vërteta se kodi elektoral ishte produkt i pazareve të rrufeshme të fshehta para votimeve të z. Sali Berisha, që është në pushtet, dhe të z. Edi Rama, që po lufton egër t'ia marrë atë me çdo kusht.
Sido që të jetë çdo përpjekje e bërë në Shqipëri nga çdo forcë politike e djathtë apo e majtë, në pushtet apo në opozitë, për të shmangur apo përbuzur ndihmën konstruktive dhe pozitive të ndërkombëtarëve, madje edhe ndërmjetësinë e tyre ndërmjet forcave politike, nuk ka sjellë gjëra të mira; e kundërta ka ndodhur se në fund të fundit shqiptarët atyre u janë drejtuar në situatat e rënda dhe shembujt janë të shumtë, që arritën kulmin me krizën e përgjakshme të vitit 1997.
Shumë pozitivisht duhen konsideruar edhe ndihmat frontale të tanishme, përfshi edhe vizitën flakë për flakë dhe deklaratat lehtësuese të këshilltarit të Berluskonit se digat mbi lumin Drin nuk do të shembeshin. Domosdo shumë lehtësuese për banorët e zonave të përmbytura dhe mbarë popullin ishin edhe konstatimet e specialistëve shqiptarë ndër të cilat ata të Z. Farudin Hoxha, kryetar i komitetit shqiptar të digave të mëdha.
Por shqiptarët e kanë në gjak e karakter që ta vlerësojnë lart ndihmën e të huajit, sidomos në raste kritike, si ata që po kalon veriu i vendit, aq më pak ta nënvleftësojnë.
(*) Dërguar nga autori, gazetar, ish-diplomat në Nju Jork