Tiranë, 12 janar, NOA Nga Blerina Ahmetaj - Ulja e ndjeshme e temperaturave gjatë këtyre ditëve ka favorizuar më tej situatën gripale në vendin tonë. Sipas të dhënave më të fundit nga dy spitalet e mëdha në Tiranë, Qendra Spitalore Universitare "Nënë Tereza" dhe Sanatoriumi, çdo ditë në urgjencat e tyre paraqiten rreth 20 raste me grip, ku dominuese sipas mjekëve vazhdon të mbetet gripi AH1N1.
Sipas informacioneve të marra nga reanimacioni i Sanatoriumit, aktualisht janë dy raste të rënda ku më problematike paraqitet një grua shtatëzënë e ardhur nga Korça e dyshuar se është e prekur nga gripi i derrit.
Gruaja shtatzënë në javën e 31-të, po merr trajtim të specializuar në reanimacion, përmes aparaturave respiratore.
Ndërsa rasti tjetër sipas mjekëve është më i stabilizuar, por ende në rrezik për jetën.
Nga spitali Infektiv i QSUT-së raportohen dy raste të rënda por të stabilizuara tashmë. Mjekët infeksionistë në Spitalin Infektiv thonë se çdo ditë në këtë spital paraqiten dhjetëra raste me AH1N1, të cilat i përkasin moshës 20 deri në 40 vjeç.
Në të gjithë vendin mendohet të jetë rritur numri i të prekurve me AH1N1 ndërkohë që vihet re një numër i pakët qytetarësh që kanë pranuar të aplikojnë vaksinën kundër gripit të derrit e cila gjendet prej disa javësh në qendrat shëndetësore.