English

Thirrja e Priftit, kompanitë private nisi drejt Shkodrës ndihmat e para

Tiranë, 12 Janar NOA - Kompanitë private shqiptare kanë nisur sot drejt Shkodrës ndihmat e para konkrete në nevojat më emergjente që vetë Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti kërkoi në takimin e djeshëm me biznesin, që kishin të bënin kryesisht me ujë të pijshëm, me bukë dhe karburant.

Në drejtim të Shkodrës sot është nisur kamioni i parë me karburant nga Kastrati. Kompania Miell SHPK me përfaqësues Roland Hysa ka nisur një kamion me miell. Agna Group me përfaqësues Vasil Naci ka vënë në dispozicion shumën 2.5 milion lekë të reja që do të shkojnë në vlerën e produkteve të kësaj kompania, kryesisht në ujë të pijshëm.

Po kështu Ferlut me përfaqësues Ferdinand Ibrahimi ka dërguar për zonat e përmbytura kamionë me qumësht. Ndihma këto që po shtohen në çdo moment dhe nga biznese të tjera.

Po kështu për tu njohur më nga afër më situatën dhe për të shprehur solidaritetin e biznesit të Tiranës, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka ishte sot në Shkodër ku pati takim me zv/kryeministrin, Ilir Meta, me Prefektin e Shkodrës, Maxhit Cungu, si dhe me shefin emergjencave civile, Alfred Olli.

Në këtë takim Jaka shprehu solidaritetin e biznesit për banorët e zonave të përmbytura, duke bërë të qartë se "në këtë jemi të gjithë bashkë dhe do të japim ndihmën tonë me të gjithë mundësitë që kemi".

Gjithashtu ai vuri në dijeni se Dhoma po kontakton dhe me homologet e saj në Europë duke saktësuar se përgjigja e parë pozitive ka ardhur nga Dhoma e Tregtisë së Stambollit, të cilët do të nisin ndihma për banorët e zonave të përmbytura.

Pjesë e rëndësishme e takimit me shtabin e emergjencave civile ishin përfaqësuesit e biznesit të Kosovës të cilët kanë ardhur sot në Shqipëri për t'u solidarizuar dhe për të dhënë ndihmën e tyre konkrete.

e.r/NOA

KOMENTE