Tiranë, 13 Janar NOA - Bashkia e Tiranës lancoi publikisht sot nismën më të fundit sensibilizuese për mbledhjen e çdo ndihme dhe kontributi financiar apo material për ti ardhur në ndihmë banorëve të zonave të përmbytura në Qarkun e Shkodrës, në veriperëndim të vendit, duke u bërë kështu një shembull i shprehjes së solidaritetit me ata banorë, të cilët tashmë gjenden në një situatë katastrofe humanitare.
Kutia ku çdo qytetar i kryeqytetit mund të japë kontributin e tij do të qëndrojë në dispozicion nga ora 08.00 deri në 16.00 dhe më pas të ardhurat e mbledhura do të depozitohen në Bankën Kombëtare Tregtare, ku është hapur dhe një numër llogarie në ndihmë të zonave të përmbytura.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama tha se së bashku me të zgjedhurit në Këshillin Bashkiak si dhe të zgjedhurit në Njësitë bashkiake jemi këtu për të hapur publikisht dhe për të qenë në kontakt të vazhdueshëm me publikun e kryeqytetit, procesin e sensibilizimit për mbledhjen e çdo ndihme solidariteti dhe çdo kontributi, sado të vogël qoftë financiar, qoftë material.
Rama tha se kjo bëhet "në mënyrë që qyteti ynë, kryeqyteti i Shqipërisë të jetë një shembull i shprehjes së solidaritetit me fatkeqët e përmbytur, edhe pse jo nga dora e Zotit por nga dora e robit, në mënyrë që ata të mos ndihen vetëm, në mënyrë që askush ndër ta të mos ndihet ashtu sikundër askush ndër ne nuk do të donte të ndihej, i gjendur në atë situatë katastrofike".
Ne kemi vënë në dispozicion të kësaj lëvizjeje qytetare, - tha Rama, - të gjithë punonjësit dhe punonjëset e shërbimeve tona sociale, njësitë bashkiake po ashtu janë të angazhuara me të gjitha mundësitë e tyre dhe jam i bindur se edhe komuniteti i cili ka filluar t'i përgjigjet shumë pozitivisht kësaj nisme, do të vazhdojë të shtojë kontributin në të gjithë format dhe në të gjitha rrugët, për të mbërritur tek çdo familje në nevojë, në mes të asaj katastrofe humanitare, mesazhi i solidaritetit, mesazhi i shpresës, mesazhi i së nesërmes".
Kurse Armond Halebi tha se "ne, si kryetarët e njësive të opozitës ofrojmë në ambientet tona pika të grumbullimit të ndihmave për banorët e Veriut. Vlen për të sjellë çdo gjë, pasi në ato zona është e nevojshme gjithçka, rroba, lodra, ushqime, e çdo lloj ndihme humanitare. Ne do të kujdesemi të grumbullojmë gjithçka me destinacion zonat e përmbytura në Veri".
r.b/NOA