English

Berisha inspekton punën për realizimin e projektit për thellimin e lumit të Bunës

"Realizimi i kësaj vepre do të mundësojë në radhë të parë mbrojtjen e qytetit të Shkodrës, duke bërë një evakuim më të fuqishëm të ujërave të Bunës, por nga ana tjetër, do të krijojë edhe mundësinë e një prej udhëtimeve turistike më të bukura, nga brigjet e Malit të Zi, Ulqinit, Tivarit, Budva e më tutje"

Shkodër, 14 Janar NOA - Kryeministri Sali Berisha, i cili vizitoi Shkodrën, u ndal pasditen e së Mërkurës në derdhje të Bunës ku u takua me inxhinierët dhe stafin teknik të anijes, të cilët po realizojnë projektin e thellimit të lumit të Bunës dhe shndërrimin e tij në një lumë të lundrueshëm.

Duke i përgëzuar për punën e nisur, Kryeministri u shpreh se, ndonëse në kushte emergjence, ata u bënë pionierë te njërit prej projekteve më mahnitëse dhe më të bukura të këtij vendi, që është thellimi dhe shndërrimi i Bunës në një lum të lundrueshëm.

"Ky është një projekt për të cilin ne kemi rënë dakord me Malin e Zi. Sigurisht që ky thellim po bëhet me emergjencë, por ne me shpejtësi do ta hartojmë një projekt përfundimtar, të shndërrimit të saj në një lum siç ka qenë shekuj më parë, i lundrueshëm", - tha shefi i qeverisë.

Më tej, Kryeministri u shpreh se realizimi i kësaj vepre do të mundësojë në radhë të parë mbrojtjen e qytetit të Shkodrës, duke bërë një evakuim më të fuqishëm të ujërave të Bunës, por nga ana tjetër, do të krijojë edhe mundësinë e një prej udhëtimeve turistike më të bukura, nga brigjet e Malit të Zi, Ulqinit, Tivarit, Budva e më tutje.

e.r/NOA

KOMENTE