English

Europa Lindore - term i gabuar

Gati 30 shtetet, të cilat dikur janë cilësuar si komuniste, tani kanë më shumë dallime, se sa ngjashmëri. Tani, t'i cilësosh ato si "Europë Lindore" sugjeron jo vetëm fatin e përbashkët të tyre nën regjimet totalitare, por përfshin edhe të gjitha të këqijat, të cilat e shoqërojnë atë regjim: historinë e trazuar atëbotë; qeverisjen e keqe dhe mizorinë ekonomike tani. Kriza ekonomike ka dëshmuar se sa e pasaktë është kjo

Nga "The Economist"

Nuk ka qenë kurrë ide koherente dhe po shndërrohet edhe në ide dëmtuese. "Europa Lindore" është një çudi gjeografike, e cila përfshin Republikën e Çekisë (në mes të kontinentit), por jo edhe Greqinë dhe Qipron (për të cilat supozohet se janë shtete perëndimore, por që shtrihen larg në juglindje). As në aspektin historik, ky term nuk ka kuptim: në të përfshihen shtetet (si Ukraina), të cilat kanë qenë për dekada të tëra nën thundrën e Bashkimit Sovjetik dhe ato shtete (të themi Shqipërinë), të cilat vetëm e kanë prekur atë. Disa nga këto shtete kanë pasur ekonomi të planifikuara me vrazhdësi; të tjerat kishin versionin e tyre të "gullash komunizmit" (Hungaria) apo të socializmit të vetëmenaxhuar (Jugosllavia). I paqëndrueshëm qysh në vitin 1989, ky term është bërë i pakuptimtë, pasi që fati i këtyre shteteve ka marrë drejtime të ndryshme, që nga shembja e komunizmit. Gati 30 shtetet, të cilat dikur janë cilësuar si komuniste, tani kanë më shumë dallime, se sa ngjashmëri. Tani, t'i cilësosh ato si "Europë Lindore" sugjeron jo vetëm fatin e përbashkët të tyre nën regjimet totalitare, por përfshin edhe të gjitha të këqijat, të cilat e shoqërojnë atë regjim: historinë e trazuar atëbotë; qeverisjen e keqe dhe mizorinë ekonomike tani. Kriza ekonomike ka dëshmuar se sa e pasaktë është kjo. Në të vërtetë, rrëmujën më të madhe ekonomike në kontinent e ka përjetuar Islanda, ndërsa buxheti më i madh i deficitit këtë vit në shtetet anëtare të BE-së nuk parashihet në shtetet ish-komuniste, por në Britani dhe Greqi. Asnjë nga shtetet e "lindjes", të cilat janë anëtarësuar në BE, nuk janë në një rrëmujë aq të madhe. Për shembull, standardi jetësor në Slloveni dhe Çeki tani është më i mirë se ai në Portugali, shteti më i varfër në kampin "perëndimor". Asnjë nga këto shtete nuk është goditur aq rëndë nga rënia ekonomike. Së bashku me Sllovakinë, Sllovenia i është bashkuar eurozonës, gjë që nuk e kanë bërë Suedia, Danimarka dhe Britania. Estonia është një prej vendeve më të pakorruptuara në Europë, duke lënë me lehtësi prapa vetës një prej shteteve themeluese të unionit, Italinë. Të arsyeshme mund të konsiderohen tri nënkategori. Një kategori është ajo e pesë shteteve autokratike në Azinë Qendrore (Kazakistani, Kirgizia, Taxhikistani, Turkmenia dhe Uzbekistani). Këto shtete shpesh as që konsiderohen si pjesë e Europës. Asnjë nga këto shtete nuk është pjesë e Këshillit të Europës. Kjo e dëshmon problemin. Definimi Europë është po aq i paqëndrueshëm sa edhe fjala "lindje". Megjithatë, të gjitha këto shtete kanë gjasa të vogla që një ditë të bëhen anëtare të unionit. Kjo e krijon kategorinë e dytë: anëtarëve potencial të unionit. Fillon me Kroacinë dhe shtetet tjera më të vogla në Ballkanin Perëndimor, siç është Maqedonia. Në këtë kategori përfshihen rastet më të mëdha problematike, siç janë Turqia dhe Ukraina. Kategoria e tretë janë dhjetë shtetet, të cilat u anëtarësuan në BE në vitet 2004 dhe 2004. Kemi të bëjmë këtu me një përzierje, duke filluar nga Estonia, që konsiderohet model, e deri te Bullgaria dhe Rumania, të cilat janë shndërruar në model të korrupsionit dhe të kriminalitetit të organizuar brenda BE-së. Tetë prej tyre, përjashtuar Rumaninë dhe Bullgarinë, i janë bashkuar zonës Shengen për lëvizje të lirë pa pasaporta. Polakët, çekët, estonezët dhe të tjerët shpresojnë se së shpejti do të shkëputën nga etiketimi i tyre "lindor", në mënyrë që të gjykohen në bazë të meritave, e jo së kaluarës së tyre historike.

KOMENTE