"Një opozitë që rri në rrugë dhe nuk luan rolin e saj në parlament, përçon një imazh negativ për Shqipërinë, jo vetëm për partinë socialiste. Ata po e përdorin Shqipërinë për interesa të tyre shumë private. I takon Partisë Socialiste, që të kuptojë, se gjërat nuk mund të vazhdojnë më kështu"
Bruksel, 14 Janar NOA - Eurodeputetja Doris Pak (Pack), një ndër emrat e Bashkimit Evropian më afër zhvillimeve politike në Shqipëri, ka sulmuar kryetarin socialist Rama duke konsideruar se po abuzon duke shfrytëzuar politikisht përmbytjet ndërsa i bën thirrje partisë që ai drejton që të ikë prej tij.
Deklarimet e Doris Pak u bënë në një prononcim për tv Klan në Bruksel, ku është vlerësuar menaxhimi nga qeveria shqiptare i përmbytjeve në veri të vendit.
Në të kundërt, qëndrimi i opozitës shqiptare është kritikuar rreptësisht edhe për përdorimin e situatës së përmbytjeve për interesa të ngushta personale: "Më kujtohen përmbytjet në Gjermani disa vjet më parë. Këto janë gjëra që ndodhin radhë. Si rrjedhim, mund t'ju them, se janë dy gjëra të ndryshme të jesh i përgatitur për këtë dhe të menaxhosh situatën", - deklaroi zonja Pak.
Parë nga jashtë, - vlerësoi ajo, - menaxhimi i qeverisë shqiptare ka bërë atë që duhej dhe unë mundem veç t'i përgëzoj për punën që kanë bërë ushtria, qeveria për organizimin e operacioneve dhe aktorët e tjerë në terren.
Kurse i është drejtuar kryetarit të PS: "Nuk mendoj, se zoti Rama s'e ka mësuar mësimin, pasi ai po përdor edhe përmbytjet për diskutime partiake, siç e lexoj edhe në shtyp".
Gjuha e Pak ndaj Ramës u ashpërsua kur tha: "Është e turpshme, pasi kur kujtoj përmbytjet e mëdha në Gjermani, të gjitha forcat politike u bashkuan dhe nuk akuzonte qeverinë s'ka bërë këtë apo atë. Kjo është një situatë, ku shqiptarët duhet të qëndrojnë të bashkuar".
Në këtë pikë, qëndrimi Doris Pak, u bë edhe më i qartë: "Një opozitë që rri në rrugë dhe nuk luan rolin e saj në parlament, përçon një imazh negativ për Shqipërinë, jo vetëm për partinë socialiste. Ata po e përdorin Shqipërinë për interesa të tyre shumë private. I takon Partisë Socialiste, që të kuptojë, se gjërat nuk mund të vazhdojnë më kështu".
r.b/NOA