Tiranë, 13 Janar NOA/Blerina Ahmetaj - Përveç ndihmave me ushqime dhe veshmbathje për familjet e përmbytura në zonën e Nënshkodrës dhe qytetit do të ofrohen dhe shërbime sociale. Drejtoria e përgjithshme e Shërbimit Social Shtetëror ka udhëzuar Shtëpinë e fëmijës, qendrat e përkujdesjes sociale dhe atë të moshuarve të pranojnë çdo lloj kategorie që ka nevojë për shërbime sociale, për shkak të situatës që krijuan përmbytjet në këto zona.
"Do të pranohen të gjitha llojet e kategorive të fëmijëve e të rriturve, që nga jetimët, personat me aftësi të kufizuar, fëmijët në nevojë por dhe të moshuarit për të marrë shërbim të specializuar nga stafi ynë. Kuptohet që këto shërbime do të jenë të përkohshme deri në normalizimin e situatës", u shpreh drejtori i Shërbimit Social Shtetëror, Mihal Naço i cituar nga agjencia e lajmeve NOA.
Për familjet e akomoduara në vendet e caktuara nga shtabi i Emergjencës, Shërbimi Social Shtetëror do të dërgojë psikologë për ti ardhur në ndihmë sidomos fëmijëve të traumatizuar nga pasojat e fatkeqësisë.
"Do të përfshijë në këto shërbime jo vetëm strukturat tona por do të kërkojmë ndihmë dhe nga personeli në universitete dhe nga shoqëria civile që merret me këtë fushë", tha Naço.
Një tjetër masë ekonomike që është marrë për të lehtësuar sadopak dëmet që shkaktuan përmbytjet është dhe futja e familjeve të prekura nga fatkeqësia në skemën e ndihmës ekonomike.
Sipas shërbimit social shtetëror këto masa janë të përkohshme deri në rikuperimin e dëmeve dhe normalizimin e jetës në këto zona.
b.a/e.r/NOA