English

Fondacioni i gruas së kryeministrit jep 10 mijë euro për Shkodrën

Tiranë, 14 Janar NOA - Fondacioni Fëmijët Shqiptarë, me Presidente Liri Berishën, gruan e kryeministrit, kontribuon me vlerën prej 10 mijë eurosh, në ndihmë të emergjencës humanitare që është krijuar në zonën veriore të vendit.

Burime zyrtare nga ky fondacion, i thanë sot agjencisë NOA se shuma orej dhjetë mijë eurosh, është derdhur në llogaritë e hapura nga Qeveria Shqiptare për t'u ardhur në ndihmë fëmijëve dhe familjeve të prekura nga përmbytjet.

Fondacioni tha se e ndërmori këtë hap, "duke vlerësuar me shqetësim situatën e vështirë të krijuar prej kushteve të pazakonta klimaterike në zonat e qarkut të Shkodrës dhe atij të Lezhës, me qëllim përballimin e kësaj situate emergjente".

Gjithashtu Fondacioni Fëmijët Shqiptarë është angazhuar gjatë këtyre ditëve duke vazhduar dhe në vijim për organizimin e aktiviteteve sensibilizuese për mbledhje fondesh të ndryshme në ndihme të familjeve pasi vlerëson se nevojat e tyre janë të shumta dhe emergjente.

Fondacioni thotë ka vendosur t'i qëndrojë pranë këtyre banoreve nga kjo katastrofë natyrore, me shpresën që kjo të lehtësojë sadopak dhembjet e tyre.

"Më shumë se asnjëherë sot është nevoja që të jemi bashkë për ta përballuar me sukses këtë situatë të pazakontë për të gjithë shoqërinë tonë", - vlerëson Liri Berisha, presidente e këtij fondacioni.

r.b/NOA

KOMENTE