English

Kryqi i Kuq Shqiptar te zonat e përmbytura: Banorët refuzojnë të lënë shtëpitë

Tiranë, 13 Janar NOA - Kryqi i Kuq Shqiptar evidentoi sot faktin se shumë njerëz refuzojnë të braktisin shtëpitë e tyre nga frika e humbjes së pasurive dhe gjësë së gjallë.

Ushtria dhe policia vazhdojnë evakuimin e njerëzve nga zonat e përmbytura me varka dhe me makina ushtarake duke i akomoduar ata në ambiente ushtarake, konvikte dhe në qendra të tjera komunitare.

Por sipas raportit të fundit të OCHA-së për situatën, 16.000 - 20.000 njerëz të tjerë mund të kenë nevojë për evakuim nëse situata përkeqësohet në ditët në vijim.

Degët e Kryqit të Kuq të Lezhës dhe të Shkodrës janë pjesë e grupit të menaxhimit të emergjencave të krijuar në përputhje me ligjin për situatat e emergjencës. Situata mbetet e rrezikshme dhe e paparashikueshme.

Sakaq, KKSH po vazhdon të furnizojë dhe shpërndajë ndihma humanitare për popullsinë e prekur nga përmbytjet e shumta në rajonet veri-perëndimore të Shqipërisë.

Një kontigjent paketash ushqimore familjare, kite higjienike dhe batanije për 200 familje kanë arritur në Shkodër sot më 13 janar 2010. Dega e Kryqit të Kuq Shkodër ka mobilizuar vullnetarët e saj për të ndihmuar ndërhyrjen humanitare dhe shpërndarjen në zonat e prekura.

"Në ditët e para të përmbytjes ne shpërndamë ushqim, ujë dhe disa rroba për dimër për familjet më të prekura nga stoku i emergjencës i KKSH-së" thotë Zamir Muça, Sekretar i Përgjithshëm.

"Ne shohin që nevojat janë shumë më të mëdha. Me mbështetjen nga Federata Ndërkombëtare e Kryqit të kuq dhe e Gjysmëhënës së Kuqe, ne do të ndihmojmë 2.200 familje të prekura me pako ushqimore dhe joushqimore për tre muajt e ardhshëm kur përmbytja të ketë përfunduar dhe njerëzit do të kenë nevojë për burime shtesë për të rifilluar jetën. Paketat e ndihmës që ne do të shpërndajmë sot, janë pjesë e një programi afatgjatë që do të ndihmojë njerëzit e prekur gjatë dhe pas fatkeqësisë", - thotë ai.

KKSH gjithashtu ka filluar një fushatë solidariteti për mbledhjen e fondeve brenda vendit.

Autoritetet shqiptare deklaruan një situatë emergjence në 5 janar në Prefekturat e Shkodrës dhe Lezhës ku përmbytje shumë të forta detyruan evakuimin e më shumë se 4.000 njerëzve.

Niveli i ujit në rrugën kryesorë që hyn në Shkodër, ka arritur 1 metër dhe në disa fshatra arrin 2 metra. Zona e Nënshkodrës mbetet në një situatë kritike.

Ndihma e Kryqit të Kuq Shqiptar që do të shpërndahet sot, përmban: 25 kg miell, 5 litra vaj, 5 kg sheqer, 5 kg fasule, 5 kg oriz që do të ndihmojnë familjen për një muaj, si dhe një pako me materiale higjienike dhe 4 batanije për familje.

Shpërndarja do të kryhet në bashkëpunim me autoritetet lokale dhe njësitë e emergjencës operative në zonën e prekur.

Kryqi i Kuq Shqiptar është organizata më e madhe humanitare në Shqipëri që vepron si ndihmëse e qeverisë në përgjigje të fatkeqësive dhe krizave natyrale, sociale dhe shëndetësore.

Kryqi i Kuq Shqiptar është anëtar i Federatës Ndërkombëtare që prej vitit 1923. Shoqatat Kombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, së bashku me Federatën Ndërkombëtare, përbëjnë Lëvizjen Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe.

e.r/NOA

KOMENTE