Bari, 13 Janar NOA - Mbrëmjen e sotme, është nisur për në Portin e Durrësit një kolonë me ndihma humanitare të dhuruara për Qeverinë shqiptare nga Kooperacioni italian pranë Ministrisë së Jashtme Italiane, konfirmojnë për agjencinë NOA, burime zyrtare nga Ambasada e Italisë në Tiranë.
Mbërritja e kolonës në Durrës parashikohet për nesër në mëngjes e enjte, në orën 07.00 me anijen "Athens" dhe më pas do të vazhdoje rrugën për në aeroportin e Gjadrit ku do të bëhet edhe dorëzimi.
Më shumë se 40 tonë materiale do t'i dorëzohen Autoriteteve shqiptare nga Autoritetet italiane, mes të cilave 15 gjeneratorë të rrymës elektrike, 4000 batanije, 6 barka, pompa për ujin, çadra dhe ushqime.
Këto materiale do të shpërndahen po nesër, sipas udhëzimeve të Mbrojtjes Civile shqiptare, që thotë se po punon në koordinim të ngushtë me Mbrojtjen Civile italiane e pranishme në Shqipëri, nga dy helikopterë transporti, të vënë në dispozicion që ditën e diel, 10 janar nga Qeveria italiane.
e.n/NOA