Ma thotë mendja që fundviti 2009 dhe fillimvit i ri (2010), po e shtyjnë nga pak Republikën e Kosovës në drejtime të padëshiruara për të, dhe ndoshta edhe drejt udhëve qorre
Fehmi Ajvazi*
1.
Republika e Kosovës, vazhdon të zhvillohet dhe të forcohet konform mundësive dhe potencialeve të brendshme fizike dhe materiale, si dhe konform bashkëpunimit dhe partneritetit shtytës ndërkombëtar. Republika e Kosovës si një shtet relativisht i ri, tashmë ka hyrë nën ombrellën e Familjes së Madhe Ndërkombëtare të shteteve. Shteti i Kosovës, është njohur nga shtetet të fuqishme të botës por, edhe nga shtete të vogla që mezi i gjejmë në hartë.
Ekipi i shteteve të fuqishme (SHBA, Anglia, Gjermania, Japonia, Franca, Kanadaja, Australia, Arabia Saudite, Italia, Turqia etj.), përbën krenarinë tonë të veqantë duke qenë se ky ekip, pasqyron universin aktual të fuqisë supreme shtetërore që dominon globin. Pra, sot Republika e Kosovës mund të llogarisë në më shumë siguri politike, ekonomike, kulturore etj.
Në fazën aktuale, qytetarët e Kosovës mund të ndihen mirë nga pikëpamja psikologjike dhe, optimistë për të ardhmen e tyre. Megjithatë, sa herë që kërkohet, është prioritare të theksojmë fuqishëm se shteti i Kosovës lindi në suaza të një procesi të ndërlikuar historik dhe, në suaza të një procesi të ashpër politik, deri në shkallë lufte.
Në të gjitha fazat, veçmas pas vitit 1981, hapat tonë drejt lirisë dhe pavarësisë ishin jashtzakonisht të vështirë. Dhe plotë një dekadë pas qershorit të vitit 1999, nga periudha "de fakto" Republika e Kosovës edhe "de jure" (17.02.2008), është shtet.
2.
Gjithsesi, edhe të fituarit e statusit të shtetit (shtetbërja), po ashtu përbënë një sfidë më vete. Ndamas nga çdo sfidë e brendshme zhvillimi, në planin ndërkombëtar kërkohet që subjektiviteti i proklamuar dhe i shpallur të njihet nga të tjerët. Çdo njohje, është e favorshme dhe e plotëson në dhjetëra mënyra, fuqinë shtetërore të Republikës së Kosovës. Republika e Kosovës, ka hyrë në fazën kur i duhen njohjet domosdo.
Sa më shumë njohje, që domethënë sa më shumë numra shtetesh që do të na njohin në cilëndo formë politiko-juridike ndërkombëtare, do të na mundësoj konsolidim të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës në familjen e shteteve të pavarura. Rritja e numrit të shteteve që na njohin, krijon partneritet politik dhe ekonomik, krijon partneritet kulturor, sportiv, krijon siguri etj.
Gjithashtu, mundëson edhe bashkpunim të gjerë dhe të nduarndurtë me popujt dhe komunitetet e ndryshme, me shtete, me organizatat supranacionale, e që të gjitha këto janë një corpus i gjerë - i organizuar. Bashkëpunimet janë gjithmonë të nevojshme dhe perspektivat bëhen më funksionale dhe më të fuqishme, nisur nga traditat e zhvillimit historik ndërkombëtar të popujve dhe shteteve.
Shekulli si ky (XXI), imponon dinamikë të fuqishme, vizion, perspektivë bashk me "shkrirjet" e ndryshme (lehtësisht të durueshme ) të aspekteve nacionale e shtetërore, duke qenë se bota është kthyer në një "fshat global" dhe ku interesat janë kaq të përbashkëta, bile të domosdoshme, reciproke.
Nevojat pa fund dhe çështjet e ndryshme globale (ekonomia, ambienti, tregu, edukimi, siguria etj.), na shtyjnë të mendojmë dhe të veprojmë në drejtim të gjetjes së detyrueshme të vetës sonë në suaza të interesave globale: mënyra më frytdhënëse e zhvillimit dhe e prosperimit.
Rritja e kapaciteteve të lobimit dhe procedimi me sukses i rrugës së njohjeve ndërkombëtare, përkon me nevojat e nduarndurta të zhvillimit të brendshëm dhe, me stabilizimin e shtresuar në shkallë institucionale, administrative, shoqërore etj.
Presioni që buron nga shtimi i njohjeve ndërkombëtare për shembull, e detyron apriori, Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND ) që të shmang çdo dilemë eventuale lidhur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Rritja e numrit të shteteve që e njohin Republikën e Kosovës, zbut qëndrimet e ashpra politike dhe shtetërore ndaj ekzistencës dhe zhvillimit të shtetit të Kosovës të vendeve si, Sllovakia, Greqia, Rumania, Spanja, Rusia etj. Institucionet e Kosovës, Qeveria dhe me theks të veçantë Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ), duhet të rrisin kapacitetet politike dhe shtetërore në nivelin energjik lobues, duhet të rrisin cilësitë diplomatike që të ngrihet kuota e shteteve njohëse (kuota e numrave), për të plotësuar kriteret e nevojshme juridike- procedurale që Republika e Kosovës t'i hapë më kollaj, dyert drejtë anëtarësimit të sigurt në organizmat më të larta ndërkombëtare si: UE, NATO, OKB etj.
Dy çështje tashmë strategjike, imponojnë dinamikë të shpejtuar të njohjes: anëtarësimi në Unionin Evropian ( UE ) dhe, anëtarësimi në Kombet e Bashkuara ( OKB ). Të dy këto prioritare, janë çështje kruciale dhe të paevitueshme pasi që Kosova vërtetë ka fituar njohjet supreme ndërkombëtare nga vendet si SHBA, Gjermania, Japonia dhe, ka aderuar edhe në mekanizmat monetar si, FMN.
Bazuar edhe në qindra nevoja fizike dhe materiale, organizative, industriale që imponon aktualiteti i organizuar shtetëror, kjo s'është më vetëm dëshirë. Prandaj rritja e kapaciteteve lobuese për njohje, duhet të përfshijë nevojën për dinamizim të resurseve politike dhe shtetërore, e kjo do të thotë rritje të lobimit cilësorë, të diplomacisë fleksibile, profesionale, energjike etj.
Natyrshëm, që të avancohet problemi i njohjes së Kosovës nga dhjetëra vende afrikane, duhet paraprakisht të influencohet në Paris. Dhjetëra vende afrikano-arabe, janë të lidhura historikisht me Francën dhe siç dihet, madje edhe gjuhë zyrtare kanë frëngjishten. Natyrshëm, që të avancohet problemi i njohjes së Kosovës nga dhjetëra vende amerikano-latine, është e udhës që paraprakisht të influencohet në Madrid dhe në Lisbonë.
Dhjetëra vende amerikano-latine, janë të lidhura historikisht me Spanjën dhe me Portugalinë dhe siç dihet, madje edhe gjuhë zyrtare kanë spanjishten apo portugalishten. Përfshirja e gjerë e aktiviteteve, ngritja e seriozitetit, promovimi dhe përdorimi i resurseve të caktuara, profesionalizmi, avancimi i mundësive të kalkuluara dhe të projektuara institucionale, e rritë në shkallë të theksuar efikasitetin e nivelit lobues të njohjeve.
Hapja e sa më shumë përfaqësive diplomatike (konsullata, ambasada…) dhe përfaqësimi i tyre realisht i denjë për nga niveli intelektual - shtetërorë dhe jo për nga niveli klanor, fisnorë, miqësorë, shoqërorë është me dobi të panumërta për qytetarin, shoqërinë dhe shtetin.
Pra, ekzistojnë me dhjetëra e qindra mënyra, rrugë, kanale diplomatike, resurse njerëzore, mjete materiale- teknike që mundësojnë njohje. Republika e Kosovës gjatë këtij viti, pse vallë të mos e arrijë kuotën e njohjeve deri në së paku 120 shtete…?
3.
Njohjet e këtij viti (2010), janë çështje e sasisë (çështje kuantiteti). Republika e Kosovës, ka nevojë që të ketë sa më shumë miq, shtete për të bashkëpunuar, partnerë ekonomikë etj. Rritja e përkrahjes ndërkombëtare politike dhe ekonomike, kulturore, ushtarake përbën hapje të fushave të perspektivës dhe ecje të sigurt, në atë që konsiderohet "fuqizim shtetëror" i sotshëm dhe, i nesërm. Kosova, nuk guxon të lejojë dilema për vetën e saj tek të tjerët, etiketa, dyshime, skepsë që të përfytyrohet dhe të analizohet si një shtet që në një rast të papritur, mund të konsiderohet nesër si shtet i dështuar.
Si një shtet i dështuar… ? Kjo do t'ishte më shumë se sa paaftësi, neglizhencë, varfëri, papunësi një punë katastrofë për Kosovën. Pra: vetëm kjo, s'duhet lejuar…! Por unë besoj plotësisht që ka aty-këtu edhe dilema, sfida rajonale-ndërkombëtare rreth lindjes dhe fuqizimit të shtetit të Kosovës.
Ndërkaq, as që dyshohet që ka edhe vërejtje dhe kundërshtime jo vetëm të lindjes, por edhe të rritjes dhe të fuqizimit të shtetit të Kososës. Pra, ka qarqe të caktuara që janë të disponuara që shteti i Kosovës të "abortojë" ose të vdesë...! Të mos harrojmë që ka një plan aktiv (si edhe shumë plane të tjera të djeshme ), i koduar me emrin "Aksioni" që është hartuar nga Beogradi, pikërisht me parametrat konkret për ta penguar të zhvillohet dhe madje, edhe për ta dështuar shtetin e Kosovës.
Ky plan, u aprovua nga të gjithë faktorët shtetërorë (civil dhe ushtarak) në Beograd, pak ditë para 17 shkurtit ( 2008).
Mendoj që është e udhës t'i kujtojmë kundërvëniet që i ka bërë dhe i bënë Beogradi gjithandej, kundër Kosovës edhe pas qershorit (1999). Strukturat paralele, ndërhyrjet agjenturore, krimi i organizuar, antilobimi dhe format e tjera kundërvënëse të Beogradit, kush nuk i ka parë dhe kuptuar…?
Por, nuk është vetëm Beogradi, tupanxhiu që mundohet ta shurdhojë Republikën e Kosovës. Rebelimi i 17 marsit (2004), një stuhi që askush se mësoi asnjëherë se si erdhi dhe nga erdhi, e shtyri për 3 vite pavarësinë e Kosovës. Ky "rebelim", s'erdhi vetëm nga një drejtim, apo nga një qendër…! Ma thotë mendja që fundviti 2009 dhe fillimvit i ri (2010), po e shtyjnë nga pak Republikën e Kosovës në drejtime të padëshiruara për të, dhe ndoshta edhe drejt udhëve qorre.
Absolutisht, është e njëjta frymë përngjasuese e marsit të vitit 2004, ndërsa që dallimi qëndron vetëm në atë se forca e kësaj fryme sot, është e një bërthame fraxhile. Pra, është një frymë që në esencë, është e një shkalle të lehtë goditëse. Por stuhitë që krijohen nga erëra të shumta dhe të rrezikshme drejtimesh të ndryshme dhe nga mjegullnajat e zeza, shkaktojnë huti, panik dhe sjellin tragjedi.
Jo, dua të them që vërehen përpjekje që dëshirojnë ta shtyjnë Kosovën drejt krizave hibride, drejt konfuzitetit, drejt dështimeve të ndryshme institucionale, drejt vendnumërimit dhe pazhvillueshmërisë ekonomike dhe sidomos, drejt kaosit…! Këtë, paraprakisht duhet ta shohim e, kuptojmë ! Prishtina, domosdoshmërisht duhet të kundërpërgjigjet në kontinuitet: të zhvillohet ekonomikisht dhe, ta dinamizoj e forcojë rolin politik dhe ligjor të shtetit, ta forcojë institucionin e përgjegjësisë, ta rrisë sigurinë etj.
Duke qenë e njohur nga "klubi i shteteve të fuqishme", tani Republikës së Kosovës i duhen më shumë njohje nga sa më shumë shtete.
Ndonëse puna në këtë drejtim nuk është fare e lehtë justifikimet dhe kohëzgjatjet, neglizhimet, arsyetimet boshe nuk duhet të lejohen, dhe aq më pak nuk duhet të lejohen në nivele institucionesh të thirrura dhe kompetente.
(*)(*) Dërguar nga autori. Qëndrimet e shprehura nuk përfaqësojnë domosdoshmërish vijën editoriale të NOA. Më shumë mbi rregulloren e rubrikës "Opinion" gjeni këtu