English

Prifti: Ju tregoj kur mund ta jap dorëheqjen

Ministri u shpreh gjatë një konference për shtyp, se është i gatshëm të dalë në një debat publik televiziv me çdo person të stafit të Edi Ramës për të bërë transparencë përpara çdo shqiptari për çdo gjë të ndodhur gjatë dy javëve të fundit

Tiranë, 13 Janar NOA Update - Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti ka deklaruar se opozita nuk ka të drejtë ligjore e morale për t'i kërkuar atij dorëheqjen dhe se këtë mund të bëjnë vetëm kryeministri i vendit dhe kryetari i LSI-së.

Prifti u shpreh gjatë një konference për shtyp, se është i gatshëm të dalë në një debat publik televiziv me çdo person të stafit të Edi Ramës për të bërë transparencë përpara çdo shqiptari për çdo gjë të ndodhur gjatë dy javëve të fundit.

***

Në fillim, kreu i METE-s nënvizoi faktin se të gjithë zyrtarë me të lartë të vendit, por edhe të huaj, e kanë përgëzuar për menaxhimin e mirë që i bëri sistemit energjetik në këtë kohë me prurje të jashtëzakonshme.

"Gjatë gjithë këtyre ditëve ju keni dëgjuar që edhe nga opozita ka pasur akuza të përditshme, kërkesa për dorëheqje për mua dhe për kryeministrin. Unë po them që të drejtë ligjore dhe të drejtë morale për të kërkuar dorëheqjen time nga detyra ka vetëm dy persona, tha Prifti. Njëri quhet Sali Berisha, është kryeministër i vendit dhe vetëm ai ka të drejtë ligjore e morale të gjykojë punën time, se si e kam bërë dhe pastaj të kërkojë dorëheqje apo të falënderojë për punën, siç më ka falënderuar. Personi i dytë quhet Ilir Meta, që është kryetari i partisë sime. Duke qenë se jemi në një koalicion ai ka të drejtën morale të më kërkojë mua të largohem nga detyra nëse nuk përmbush përgjegjësitë dhe detyrimet e mia si ministër. Edhe ai person mua dhe të gjithë punonjësit i ka falënderuar për detyrën e bërë me sakrifica dhe gjithë përkushtim".

Më tej, ministri i Energjetikës ftoi kreun e opozitës që të zgjedhë një person nga stafi i tij për të dalë në një debat publik dhe nëse nuk e ka guximin ta bëjë këtë bën mirë të heshtë e të mos shpifë.

"Ata që më akuzojnë për korrupsion, për shkelje rregulloreje, për shkelje ligji, për udhëtime turistike jashtë shtetit, për çfarëdo qofshin, unë po i bëj një thirrje të drejtpërdrejtë zotit Rama. Zgjidh njeriun më të mirë që ke në stafin tënd, zgjidh atë që e ke ministër hije të energjetikës ose e ke ministër të ardhshëm të energjetikës nëse do të vish ndonjëherë në pushtet dhe unë e ftoj të dalë me mua në debat publik. Zgjidheni ju televizionin, zgjidhni ju studion, moderatorin dhe çfarë të doni tjetër. Zgjidhni njeriun të vijë përballë meje dhe t'i tregojmë të gjithë shqiptarëve çdo gjë. Si e kemi bërë punën, me ligjin përpara, me vendimet e qeverisë përpara, me rregullore përpara, çdo gjë. Nëse nuk ke guximin të vësh përballë meje njeriun tënd më të mirë që të bësh transparencë përpara të gjithë shqiptarëve, atëherë pusho, mos shpif, mos trillo dhe mos ofendo ata njerëz të cilët kanë punuar me përkushtim 24 orë për t'i dhënë të gjithë shqiptarëve drita dhe për ta lehtësuar sa më shumë situatën e njerëzve që janë të përmbytur në zonën e Shkodrës dhe nënShkodrës".

"Sot mund të deklarojmë me garanci për një rikthim në normalitet të kaskadës së Drinit. Kemi një nivel të ujit në liqenin e Fierzës rreth 290 metër. Kemi një nivel në Koman 170 metër dhe në Vaun e Dejës niveli i ujit në liqen është 74 metër. Pra një situatë krejtësisht normale përsa i përket kaskadës", - deklaroi Prifti.

Unë, - vijoi ai, - jam përpjekur gjatë gjithë periudhës së vështirë për të gjithë punonjësit e sektorit energjetik në vend të jem sa më shumë i pranishëm për të dhënë sa më shumë informacion dhe për të bërë sa më shumë transparencë në këtë kohë.

Prifti tha më pas se situata u përballua me një sakrificë dhe përkushtim të madh nga i gjithë sektori.

"Unë sot të gjithë punonjësve të sektorit energjetik në Shqipëri u kam dërguar një letër falënderimi, sepse kemi kaluar një situatë shumë të vështirë, e cila e godet një vend një herë në 100 vjet", - tha Prifti duke theksuar se u përballua me shumë sakrificë, por me sukses.

"Nuk kishte ndodhur asnjëherë në historinë e Shqipërisë që ne të prodhonim 29 milionë kilovat/orë energji në ditë nga sistemi energjetik. Kjo ishte një thyerje rekordi. Nuk kishte ndodhur asnjëherë në historinë e Shqipërisë që ne të eksportonim 12 milion kilovat orë në ditë. Sistemi ynë energjetik në këtë situatë ka thyer rekorde dhe janë të gjithë rekorde suksesi, sepse në asnjë moment nuk patëm asnjë defekt, nuk patëm asnjë avari. Jam vërtetë i kënaqur dhe krenar mund të them me të gjithë ata punonjës që përballuan këtë situatë të vështirë", - theksoi Prifti.

e.r/NOA

KOMENTE