English

Prishtina: Dejzilend, shfaqja më e shikuar në TK

Prishtinë, 13 Janar NOA/Milea Selimi - Ka nisur mirë sezoni i ri i teatrit në shtetin më të ri të Evropës, Prishtinë. Projektet më të mira të vitit të kaluar, reprizat që kanë patur një numër shikueshmërie të lartë në sezonin 2009 po vazhdojnë të jepen me sukses në Teatrin Kombëtar të Prishtinës. Me një strukturë të re drejtimi, me vizione dhe strategji të përcaktuara qartë, ky teatër nën drejtimin e regjisores së njohur, Burbuqe Berisha, duket se po tenton të vendosë marrëdhënie të reja me publikun prishtinas dhe dashamirësit e teatrit.

Teatri Kombëtar i Prishtinës ka nisur janarin me shfaqjen "Dejzilend",një komedi bashkëkohore e dramaturgut të njohur amerikan Kristofer Durang e cila u shfaq për herë të parë në off-Broadway në New York më 1983.

Befasi apo jo, ajo ka qenë shfaqja më e shikuar gjatë vitit 2009, vënë në skenë nga regjisori Agon Myftari, ku luajnë aktorët Ilire Çelaj, Ernest Malazogu, Yllka Gashi, Adriana Matoshi, Ylber Bardhi.

Premiera e kësaj shfaqje ishte dhënë më 24 shkurt të vitit 2009. Komedia "Dejzilend" në tërësi ka mbledhur rreth 1600 shikues, duke pasur konkretisht 13 shfaqje.

Pas "Dejzilend" vjen shfaqja "Vdekja dhe Vasha" e regjisorit Fatos Berisha, pastaj shfaqja e trashëguar nga një vit më parë "Çifti Martin", në regji të Bekim Lumit dhe pas saj vjen shfaqja "Bodrumi", në regji të Fadil Hysaj

Mysafire në javën e parë të janarit në Teatrin Kombëtar të Prishtinës ishte edhe trupa Teatri Sub Cult-nga Shkupi me veprën "Përmbledhja e plotë e veprës së Shekspirit e shkurtuar lehtë", shkruar nga Fernando Arrabal me regji nga Sulejman Rushiti.

Paralel me shfaqjet në Teatrin Kombëtar Prishtina gjallon në fushën e teatrit edhe me Teatrin Oda, e cila ofron për prishtinasit më datën 14 janar shfaqjen "Piknik në fushëbetejë" "Piknik në fushëbetejë" që sjell tragjikomedinë absurde të njerëzve me logjikën e gabuar në vendin e kohën e gabuar.

Në konceptin regjisorial të Florent Mehmetit mund të quhet me të drejtë shfaqje e qeshjeve histerike me "logjikimet" e personazheve dhe ngjarjeve që u ndodhin atyre në piknikun e fushëbetejës.

Është fat i madh që spektatorët mund të qeshin me rrëfime të tilla, të cilat interpretohen nga aktorët: Besnik Krapi, Ilire Çelaj, Besar Zahiti, Besfort Daka, Xhejlane Tërbunja, Alban Zogaj.

e.r/NOA

KOMENTE