Shkodër, 13 Janar NOA Update - Prokuroria e Shkodrës, ka nisur hetime kryesisht në KESH, pa ngritur akuzë, në lidhje me situatën e fundit të përmbytjeve në zonën e veriut që ka shkaktuar emergjencë humanitare, nëse u zbatua rregullorja e digave.
Korrespondenti i agjencisë NOA citon burime zyrtare të kësja prokurorie që refuzuan të citohen me emër, të thonë se ditën e martë më 12 janar 2010, kanë nisur hetimet kryesisht, për të sqaruar momentet e hapjes së digave dhe afatet e tyre.
Prokuroria po heton në lidhje me datat e hapjes së portave, sasinë e ujërave të shkarkuar, limitet e derdhjes së ujërave dhe kohëzgjatjen e derdhjes së tyre.
Mësohet se prokuroria do të kërkojë nga KESh si dhe organet përkatëse në hidrocentralet e Fierzës dhe Komanit, të gjithë dokumentacionin që i referohet periudhës nga 27 dhjetori 2009 deri në 11 janar 2010.
Ndërkohë, Prokuroria e Përgjithshme përmes zëdhënëses refuzoi të konfirmojë por as nuk e mohoi, nisjen e hetimeve nga dega e saj në Shkodër. Ende nuk konfirmohet edhe nëse ka një padi direkte për këtë argument, apo hetimi do të bazohet vetëm mbi dyshime të ngritura kryesisht.
e.r/NOA