English

PS: Familjeve të përmbytura, menjëherë asistencë financiare

Tiranë, 13 Janar NOA - Partia Socialiste ka bërë thirrje për t'i dhënë asistencë financiare familjeve të përmbytura të cilat sot "gjenden nën vullnetin e ndonjë helikopteri nëse iu hedh ndonjë pako ushqime a jo".

"Kjo situatë për shkodranët, të cilëve iu rrënua gjithçka në pak ditë nga përmbytjet, duhet të marrë fund, qeveria duhet t'u japë menjëherë asistencë financiare, lekë në dorë këtyre familjeve", - tha sot në një komunikim me mediat deputetja e PS, Ermonela Felaj.

"Partia Socialiste e Shqipërisë i bën thirrje Sali Berishës dhe qeverisë së votave të vjedhura, që t'i japë asistencë financiare të menjëhershme, me lekë në dorë, qindarkë për qindarkë, çdo familjeje që jeton në zonën e përmbytur', - theksoi Felaj.

"Shqiptarët tashmë e kuptuan se katastrofa e ditëve të para të këtij viti nuk ishte një katastrofë natyrore, por një përmbytje e shkaktuar nga babëzia dhe korrupsioni i qeverisë", - cilësoi deputetja e majtë.

"Përmbytja që la mijëra familje pa shtëpi, nuk erdhi si rezultat i ngrohjes globale, apo eklipsit të hënës, siç thotë Kryeministri i votave të vjedhura, por erdhi si rezultat i rënies së shtetit, i moszbatimit të asaj rregulloreje që përcakton qartë kuotën limit të nivelit të ujit në digat e hidrocentraleve", - vazhdoi znj. Felaj. e.r/NOA

KOMENTE