English

PS: Fundjava e tmerrit për shkodranët, fundjavë e luksit për Priftin

Tiranë, 13 Janar NOA - Deputeti i Partisë Socialiste Taulant Balla në një komunikim me mediat ka bërë publik skandalin sipas tij, se "kur Shkodra përmbytej Ministri i Energjetikës Dritan Prifti udhëtonte për pushime luksi në Turqi".

Balla tha se e dëshmonte "këtë fakt" me biletën vajtje-ardhje të Ministrit të Energjitikës dhe shtoi se Berisha ishte tërësisht në dijeni të këtij informacioni.

"Përmbytjet në këto zona kanë filluar në datat 27 dhe 28 dhjetor. Po t'i referohemi deklaratës së Drejtorit të KESH, hapja e portave është bërë pikërisht më datë 27 dhjetor.

Këto fakte duhet ta kishin vënë qeverinë në alarm dhe në gatishmëri pikërisht në këto ditë", - sugjeroi Balla.

Kurse shtroi pyetjen: "Po ku ishte qeveria në ditët e fillimit të tmerrit për banorët e Shkodrës?".

Balla theksoi se "Dritan Prifti - Ministri i Energjitikës, dy ditë pasi kishte filluar përmbytja e paramenduar, më datë 30 Dhjetor është larguar nga Shqipëria për të pushuar në një hotel luksi në Turqi dhe është rikthyer në Shqipëri vetëm më datë 3 Janar kur tashmë Shkodra ishte zhytur nën ujë, jetët e banorëve ishin vënë në rrezik, ndërsa pronat ishin shkatërruar plotësisht".

Për opozitën, "kjo është prova më e qartë se kjo qeveri është e papërgjegjshme dhe me papërgjegjshmërinë e saj ka shkaktuar katastrofën që përmbyti Veriun e vendit, që rrezikoi jetët e mijëra shkodranëve dhe la mijëra familje pa shtëpi, pa pronë, pa bagëti, pa të nesërme".

"Në kushtet kur Shkodra zhytej në ujë dhe portat që përmbytnin Veriun e vendit ishin hapur, ministri përgjegjës zgjodhi të largohej për pushime duke u rikthyer në Shkodrën e përmbytur 5 ditë më pas, kur tashmë situata ishte në pikën kritike", - komentoi Balla, duke vlerësuar se "fundjava e tmerrit për shkodranët, ishte fundjava e luksit për Dritan Priftin".

"Sali Berisha ka qenë në dijeni të plotë të këtij informacioni. Kjo është arsyeja pse ai e mbron Dritan Priftin në vend që ta shkarkojë atë. Për këtë arsye përgjegjësia për përmbytjen e Shkodrës është përgjegjësi e Sali Berishës", - përfundoi Balla.

r.b/NOA

KOMENTE