English

Pse klasa e mesme s'ka ndikim politik?

Nga vendet e Ballkanit, në ato të dala nga ish-Bashkimi Sovjetik e deri në Afganistan e në Irak, shtresa e mesme është e brishtë. Ky grupim i shoqërisë ende nuk ka ndikim politik, siç ndodh në vendet e zhvilluara

Nga Charles Recknagel

Në vendet perëndimore, klasa e mesme shihet si shtylla e një shoqërie të përparuar dhe demokratike. Në Shtetet e Bashkuara, klasa e mesme përbën rreth 60% të popullsisë. Pjesë e kësaj klase janë profesionistë të të gjitha llojeve, nga mësuesit, policët, apo menaxherët. Ky grupim paguan miliona dollarë taksa në vit dhe ka një rol themelor në zgjedhjen e klasës qeverisëse si dhe në mënyrën e qeverisjes. Por, pamje tjetër paraqitet në vendet e Euroazisë, nga Ballkani në ish-Bashkimin Sovjetik e deri në Afganistan. Pozita e klasës së mesme në këto vende është shumë e brishtë. Një nga arsyet ka të bëjë me faktin se shtresa e mesme në këto shtete po del nga kaosi që shoqëroi rënien e regjimeve të mëhershme. Në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik patëm rënien e komunizmit. Nga hiri i ndërrimit të sistemeve filloi të përvijohet një klasë e re, e vogël në numër, por me të ardhura të krahasueshme me homologët e tyre në vendet perëndimore. "Zakonisht, ky grupim nuk mbështet vlerat e demokracisë dhe të liberalizmit. Ata mbështesin sistemin social, politik dhe ekonomik, që është vendosur në dekadat e fundit në Rusi. Në Rusi kemi një sistem autoritar, ku pushteti nuk është i ndarë nga prona dhe ku udhëheqësit kryesorë janë edhe pronarët kryesorë", sqaron sociologu rus, Boris Dubin, gjendjen e shtresës së mesme në Rusi. Ai shton se kjo klasë përbën 4-5% të popullsisë dhe është mbështetësja themelore e regjimit aktual. Në vende të tjera, klasa e mesme nuk ekziston ose është shumë e dobët, për arsye të tjera nga Rusia. Në vendet e Ballkanit, në Irak apo në Afganistan, arsyeja kryesore lidhet me faktin se këto vende janë ose kanë dalë nga lufta. Në kulmin e trazirave, 40% e shtresës së mesme në Irak llogaritej se ishte jashtë vendit. Zhvillimet dramatike në vendet e Euroazisë kanë shkaktuar dobësimin e asaj që duhet të ishte shtylla bazë e zhvillimit dhe demokracisë. Nga ana tjetër, koncepti i shtresës së mesme në vende të ndryshme është i ndryshëm. Një anketë e bërë vitin e kaluar nga Pew Research, arriti në përfundimin se në vendet në zhvillim, ata që e klasifikojnë veten si klasë e mesme, në pjesën më të madhe mbështesin demokracinë. Studimi i qendrës Pew, ku përfshiheshin 13 vende, e përcakton klasën e mesme si grupimi që merr më shumë se 4286 dollarë në vit, duke u nisur nga kriteret e Bankës Botërore. Por, në shumë nga shoqëritë në zhvillim vetëquhen klasë e mesme njerëz që kanë të ardhura shumë më të ulëta se kaq. Në Rusi, për shembull, je klasë e mesme nëse arrin pa problem deri në fund të muajit, plus je në gjendje të kursesh diçka apo të shpenzosh dhe për kënaqësi. "Për mua, klasë e mesme janë të gjithë ata që kanë të ardhura mbi mesataren, kanë pronë dhe një makinë", thotë biznesmeni rus, Molotkov. Por, ka dhe përcaktime të tjera të klasës së mesme në vendet e Ballkanit apo ato të dala nga ish-Bashkimi Sovjetik. Të tjerë vetëllogariten si klasë e mesme nëse bëjnë një lloj pune intelektuale, pavarësisht se mund të marrin më pak se kategori të tjera që kryejnë punë fizike. Pavarësisht kritereve që përcaktojnë shtresën e mesme në vende të ndryshme të Euroazisë, është i qartë fakti se ky grupim nuk është bërë ende i rëndësishëm politikisht.

KOMENTE