Shkup, 13 janar, NOA - Shoqatat e Veteranëve të Luftës së UÇK-së nuk shpresojnë që as gjatë këtij viti të zgjidhet statusi i familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës së UÇK-së. Shoqatat e Veteranëve edhe përkundër ndasive të tyre kanë të njëjtën qëllim, që sa më shpejtë të përmbyllet fati i dhjetëra familjeve shqiptare që kanë ngelur pa të afërmit e tyre që u flijuan nën emblemën e UÇK-së në vitin 2001, por edhe ata që humbën gjithçka më të vlefshme.
Nënkryetari i shoqatës së veteranëve "Kalaja", Ramiz Alija ka theksuar se nuk shpresojnë se do të ketë zgjidhje të statusit edhe gjatë këtij viti, pasi që sipas tyre, kjo qeveri po tregon se nuk ka ndërmend të mbyllë çështjet e hapura, por vetëm të thellojë krizën. "I drejtohemi Ahmetit se pikërisht është ai dhe BDI për tetë vite me radhë kanë shfrytëzuar UÇK-në për qëllime politike dhe mos u mundoni që fajin tja lëni dikujt tjetër.
Andaj kërkesat tona mbeten që të miratohet ligj, dhe jo të na trajtojnë si raste sociale dhe të jepen ndihma sociale", ka theksuar kryetari i SHVL-së "Kalaja". Nga OVL e UÇK-së gjithashtu komentojnë se janë të zhgënjyer nga premtimet e bëra nga kjo qeverisje, por edhe nga të gjitha forcat politike, që vazhdimisht nuk kanë bërë asgjë për të zgjidhur statusin e UÇK-së.
Edhe kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Fazli Veliu, akuzoi Qeverinë Gruevski për bllokim të zgjidhjes së statusit të ish ushtarëve të UÇK-së, duke thënë se fajtor për këtë janë tradhtitë e grupeve të punës të BDI-së dhe VMRO DPMNE-së. Me fillim e vitit 2010, familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës së UÇK-së janë në pritje të ndonjë zgjidhje për statusin e tyre. Në ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, por edhe në partinë në pushtet, nuk dëshirojnë të flasin për këto çështje, duke premtuar se qëndrimet do të pasojnë gjatë periudhës së ardhshme.
NOA-INA