Bolzano, 14 Janar NOA - U deshën pikërisht 25 mijë euro për të marrë në pronësi vëthët e ish futbollistit argjentinas kampion bote me këtë përfaqësuese Diego Armando Maradona.
Për brilantët e tij u zhvillua një ankand në Bolzano të Italisë ku ofertat për vëthët e tij fillonin nga çmimi 5.500 euro.
Shumica e pjesëmarrësve të këtij ankandi u ndalën në shumën e 10 mijë eurove ku më pas ajo vazhdoi si garë ndërmjet vetëm dy personave ku fituese doli një grua e cila shtonte ofertat e saj pas të dhënave që merrte nga celulari me të cilin ajo po fliste gjatë asaj kohe.
Ajo nuk ka dashur të tregojë as arsyet e ofertave e as identitetin e saj por sipas medieve italiane gruaja anonime ka vepruar në llogari të një biznesmeni i cili është një tifoz dhe fans i "Pibe de oro".
Krahas saj u hodhën poshtë dhe zërat se gruaja i bëri ofertat në varësi të lojtarit të Palermos Fabrizzio Micoli i cili asnjëherë nuk e ka fshehur simpatinë e tij për Diego Armando Maradonën.
r.b/NOA