English

Berisha te baza e Gjadrit: Ushtarëve u mbetën çadrat bosh

Kryeministri viziton bazën operacionale për shpërndarjen e ndihmave në Gjadër: "Këta ushtarë mund të ndërtonin kampe me çadra për të strehuar edhe deri në 15 mijë vetë, po të ishte nevoja, por faktikisht në çadrat e tyre nuk ka njeri, sepse janë hapur zemrat dhe dyert e qytetarëve"

Shkodër, 14 Janar NOA - Kryeministri Sali Berisha i cili qëndroi dje në Shkodër, ku u organizua mbledhja e qeverisë, u ndal pasdite në bazën ushtarake të Gjadrit, ku është vendosur dhe baza operacionale për shpërndarjen e ndihmave.

Duke folur me efektivët ushtarakë, Berisha tha se "këta ushtarë mund të ndërtonin kampe me çadra për të strehuar edhe deri në 15 mijë vetë, po të ishte nevoja, por faktikisht në çadrat e tyre nuk ka njeri, sepse janë hapur zemrat dhe dyert e qytetarëve".

"Janë pritur, - vijoi Berisha, - siç pritën 1 milion qytetarë nga Kosova dhe 90 përqind të tyre në vatrat e shqiptarëve".

Edhe këta të përmbytur, në shumicën dërrmuese, ndonëse ne i kemi vendet bosh. janë strehuar në qytetarë, në fshatrat përreth dhe po e kapërcejnë me dëmet më minimale këtë përmbytje të madhe", - vuri në dukje kryeministri.

Ai përshëndeti dhe falënderoi personalisht ushtarët dhe oficerët, si dhe të gjithë ata të cilët gjatë gjithë kësaj kohe, po merren me sistemimin dhe shpërndarjen e ndihmave për zonat e përmbytura.

Gjithashtu, ai falënderoi të gjithë ata përfaqësues të biznesit, të cilët kanë kontribuar ndjeshëm, duke ofruar ndihmën e tyre konkrete për familjet e zonave të përmbytura.

Nga baza ushtarake e Gjadrit, Kryeministri shprehu mirënjohjen edhe për solidaritetin e jashtëzakonshëm që është treguar ndaj qytetit të Shkodrës, në këto ditë të vështira.

Gjatë vizitës së tij në bazën e Gjadrit, Berisha u takua gjithashtu edhe me forcat ushtarake italiane, të cilat kishin ardhur në ndihmë të zonave të përmbytura, duke iu shprehur falënderimet e tij më të thella për ndihmën që ata po japin në kapërcimin e kësaj situate.

Duke iu drejtuar të gjithë personelit të pranishëm në këtë bazë, Kryeministri u tha se "keni bërë një punë jashtëzakonisht të madhe, e cila do të vazhdojë".

Ndërrimi i motit është shpresëdhënës, - pohoi Berisha, por shtoi: "Por zona e përmbytur do të ketë nevojë edhe për një kohë të furnizohet në kushtet e kësaj gjendje emergjente dhe ne do ta furnizojmë atë".

r.d/e.r/NOA

KOMENTE