English

Deputetët e PS: Nuk e lejojmë më Berishën të shkaktojë katastrofa

Tetë deputetë të PS, në lagjet e përmbytura të Shkodrës: "Përvoja e deritanishme, ku Sali Berisha pasi i krijon krizat nuk di as t'i menaxhojë ato, është mjaft e qartë. Ne nuk duam dhe s'do të lejojmë që të përsëritet përvoja e katastrofave të tjera të krijuara nga kjo qeveri"

Shkodër, 14 Janar NOA - Deputetë të qarkut të Tiranës, Kukësit, Gjirokastrës dhe të Shkodrës u gjendën në zonat e përmbytura ku denoncuan se "përvoja e deritanishme, ku Sali Berisha pasi i krijon krizat

nuk di as ti menaxhojë ato, është mjaft e qartë" dhe paralajmëruan se "ne nuk duam dhe s'do të lejojmë që të përsëritet përvoja e katastrofave të tjera të krijuara nga kjo qeveri".

Në kontakt me banorët atje deputetët e PS janë shprehur se do jenë çdo ditë aty derisa të marrë fund kjo katastrofë humanitare e cila nuk u shkaktua nga zoti siç justifikohet qeveria, por nga vetë ata që qeverisin.

Deputetët kanë qenë në lagjet periferike të qytetit të Shkodrës, në Salo Halili dhe në Livadhe, në të cilat ende vazhdojnë të jetojnë njerëz, edhe pse për të shkuar në shkollë fëmijët u dëshmojnë deputetëve që përdorin lundrat.

Bisedat me banorë të këtyre lagjeve kanë qenë të shumta. Një prej tyre këmbëngul në keqqeverisje dhe do të dijë çdo bëhet me jetën e tij, kërkon një zgjidhje, një përgjigje: "Problemi më i madh i këtij populli dhe i kësaj zone është; A mund të jetojnë apo nuk mund të jetojnë në këtë tokë?! Në këtë vend është drejtuar keq. Kjo është drejtuar keq për ne, dhe për të gjithë. E kur drejtohet keq, keq shkon puna për të gjithë".

***

Deputetët, Arta Dade, Mimi Kodheli, Asllan Dogjani, Qemal Minxhozi, Dashamir Peza, Artan Gaçi, Astrit Beci e Ilir Beqaj kanë garantuar këta banorë se PS nuk do të heshtë për këtë krizë humanitare të shkaktuar nga keqqeverisja dhe se do të jenë gjithmonë në krah të shkodranëve.

Në prononcimin për mediat dhënë në zyrën e Shtabit të Ndihmës ngritur nga PS, deputetja e qarkut Gjirokastër Arta Dade tha: "Vazhdojmë të konstatojmë se ka jo vetëm mungesë papërgjegjshmërie, por gjithashtu ka një konfuzion total dhe një çorganizim edhe në ato struktura shtetërore që merren me asistencën e njerëzve dhe familjeve të dëmtuara".

Ne jemi këtu, - tha Dade, - për të garantuar të gjithë banorët dhe familjet e dëmtuara, sepse PS do të vazhdoj të ngulmoj që asistenca financiare të nisë urgjentisht dhe pavarësisht se ku i bën Sali Berisha mbledhjet e qeverisë në Shkodër apo Tiranë.

Në vijim në emër të PS, Dade tha se "ne duam të japim një mesazh të fuqishëm, jo vetëm banorëve të Shkodrës, por të gjithë Shqipërisë, se Partia Socialiste do të qëndroj në krahë të të dëmtuarve dhe do të vazhdoj luftën e saj politike që qeveria të dëmshpërblejë deri në kacidhen e fundit gjithë ata që janë dëmtuar, ndërsa menjëherë të nisë asistencën financiare për ta'.

Kurse referuar punës së qeverisë, ish-ministrja e Jashtme në qeverinë "Nano", komentoi: "Është shumë pak të thuash që ministrat janë instaluar në Shkodër, është shumë pak të thuash se po punohet, është shumë pak të thuash se po merr shënime dhe do i dëmshpërblesh më vonë. Problemi është se duhet vepruar".

r.d/e.r/NOA

KOMENTE