English

Djali i kryeministrit, Shkëlzen Berisha, flet për "takimin me Damir Fazlliç"

Tiranë, 14 Janar NOA - Shkëlzen Berisha, djali i kryeministrit të vendit, ka dalë me një reagim sot ndaj akuzave se ai ka kryer një takim me Damir Fazlliç, me qëllim shitblerje energjie një kompanie serbe.

Bëhet fjalë për kryeartikullin e ditës së sotme 14 Janar 2010, në të përditshmen "Shekulli", me titullin "Fierza, darka sekrete Fazlliç-Berisha". Në shkrim, aludohet se Fazlliç është takuar me djalin e kryeministrit dhe një ministër për shitjen e energjisë.

E përditshmja thotë se Fazlliç është aksioner i "Rudnap", firma ku Shqipëria blen energji elektrike dhe e cilëson biznesmenin e shumëpërfolur edhe si sekser të dy firmave të tjera serbe që ne i shesim energji.

"Kjo gazetë botoi gënjeshtrën e radhës ku dezinformohej opinioni mbi një takim timin me z. Damir Fazlliç të zhvilluar më datë 4 Janar dhe të fiksuar në kamerat e sigurisë të një restoranti në Tiranë, e ku tema e takimit ka pasur lidhje me shitjen e energjisë", - thotë Shkëlzen Berisha në reagimin e tij për media.

"Duke mos dashur t'ju humbas asnjë sekondë lexuesve mbi arsyet politike dhe financiare që shtyjnë z. Koço Kokëdhima për të botuar shpifjen e radhës ndaj personit tim, dëshiroj t'i bëj me dije opinionit se unë nuk kam diskutuar kurrë, asnjëherë dhe me askënd çështje të shit-blerjes së energjisë elektrike".

"Për më tepër, - vijon Shkëlzen Berisha, - takimi i supozuar midis meje dhe z.Fazlliç në dt 4 Janar është gjithashtu, fund e krye, një trillim i ulët i artikullshkruesit".

Ndërsa në përfundim, Shkëlzen Berisha thotë: "Në pamundësi për të hedhur në gjyq gazetën në fjalë, në respekt të një angazhimi familjar për të mos ngritur padi penale e civile kundër medias, e ftoj z. Kokëdhima apo këdo tjetër që të provojë shpifjet në fjalë ose të kërkojë falje publike për mashtrimin e radhës".

e.r/NOA

KOMENTE