English

Durrës, lajmëron policinë për një vjedhje, përfundon vetë në qeli

Durrës, 14 janar NOA - Lajmëron policinë për të denoncuar një vjedhje, po përfundon vetë në polici.

Ngjarja ka ndodhur pak pas mesnatës duke u gdhirë dita e sotme kur 22-vjeçari J.H., ka njoftuar policinë nëpërmjet sallës operative se tre persona të paidentifikuar kanë tentuar të vjedhin një gjenerator në një godinë pranë karburantit pronë e tij në fshatin Manez Durrës.

Policia shkoi menjëherë në vendngjarje ku sekuestroi në cilësinë e provës materiale një automatik model 56 si dhe një sasi gëzhojash.

Po nga veprimet e para dyshohet se shtetasi J.H., i cili ishte dhe dëmtuari nga hajdutët pasi ka konstatuar personat që po tentonin të vidhnin gjeneratorin, ka qëlluar në ajër me automatikun që mbante pa leje.

Pikërisht ky veprim të cilin ai kishte kryer për të ndaluar vjedhjen, e ka çuar atë për disa orë në qeli.

Policia filloi procedimi penal në gjendje të lirë në ngarkim të tij pasi akuzohet për veprën penale të "mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake".

Ndërkohë që policia po vazhdon hetimet në drejtim të identifikimit të autorëve të tentativës së vjedhjes.

k.k/NOA

KOMENTE