English

Gabimet tona me Shqipërinë

"Banka Botërore ka bërë gabime në këtë projekt. Po punojmë që të sigurohemi që kjo nuk do të ndodhë më në të ardhmen, qoftë këtu, apo në ndonjë vend tjetër"

Nga Philippe Le Houérou

Zëvendëspresident i Bankës Botërore

Shqipëria duhet të ndihet krenare për trajektoren e zhvillimit të saj gjatë 19 viteve të fundit. Pas katër dekadash diktaturë dhe izolim, vendi ka lulëzuar, duke shënuar një rritje të fuqishme dhe të qëndrueshme, si dhe ka shënuar përmirësime të mëdha në fushën e mirëqenies sociale. Që nga viti 1991, të ardhurat reale janë trefishuar, ndërsa varfëria është përgjysmuar gjatë 6 viteve të shkuara. Këto arritje të rëndësishme janë produkt i reformave të vazhdueshme strukturore dhe ngritjen e institucioneve të tregut në Shqipëri. Janë edhe fryt i një menaxhimi të mirë makroekonomik, një sektori privat sipërmarrës, një medie vibrante, një shoqërie civile në rritje dhe e një sistemi politik pluralist.

Vendi është përballur me një sërë krizash dhe i ka kapërcyer ato, kriza financiare, trazira civile, trazira nga moti i keq, madje u ka ofruar edhe ndihmë fqinjëve të vet dhe ka luajtur një rol stabilizues në rajon. Siç mund ta shohim edhe nga kriza e fundit botërore financiare, rritja e shqetësimeve për ndryshimet klimaterike dhe shpejtësia e fatkeqësive natyrore, do të ketë sfida të reja për t'u përballur dhe shumë gjëra për t'u përmirësuar.

Megjithatë, do të doja të përfitoja nga rasti për të përgëzuar çdo shqiptar e shqiptare për rrugën impresionuese të zhvillimit dhe hapat që kanë bërë. Ne si bankë Botërore, jemi krenar që kemi qenë bashkëshoqërues të Shqipërisë në këto arritje të rëndësishme. Ashtu siç e përmendi edhe Kryeministri, Banka Botërore ka financuar afërsisht 70 projekte në Shqipëri, që nga viti 1991, me një shumë totale me mbi 1 miliardë dollarë. Këto projekte variojnë nga rikonstruksione, rehabilitime, deri në zhvillimin institucional pothuajse në të gjitha fushat e ekonomisë e shoqërisë, duke përfshirë zhvillimin e sektorit financiar dhe atij privat, të arsimit dhe kujdesit shëndetësor, ujitjes, reformës administrative, energjisë, transportit, sektorit të pyjeve dhe mbrojtjes së mjedisit.

Për hir të së vërtetës, për Bankën Botërore, Shqipëria është historia jonë e suksesit, me mbështetjen e Agjencisë Ndërkombëtare të Zhvillimit, e njohur ndryshe si IDA. Dua t'ju rrëfej, sepse personalisht e kam përdorur këtë histori të jashtëzakonshme suksesi në punën time të mëparshme, kur drejtoja bisedimet me donatorët për të siguruar fonde për IDA-n, gjatë 6 viteve të fundit.

Tani që Shqipëria e ka fituar statusin e një vendi me një nivel mesatar të ardhurash, Banka Botërore tashmë ka kënaqësinë ta kalojë Shqipërinë në grupin e vendeve që përfitojnë financime nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim e Zhvillim, duke ndihmuar kështu aksesin tashmë në rritje të Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare të kapitaleve. Ne mendojmë se ky është një tregues që marrëdhënia midis Bankës Botërore, popullit shqiptar dhe qeverive të ndryshme shqiptare, ka qenë përgjithësisht një partneritet shumë i suksesshëm. Megjithatë, ashtu siç ndodh me të gjitha marrëdhëniet, ka raste kur gjërat nuk shkojnë mirë. Në këtë pikë, do të doja të flisja pak për ndodhitë e vitit të kaluar, në lidhje me projektin e menaxhimit të integruar të zonës bregdetare. Bankës Botërore i vjen keq që, në një inspektim që kishte për qëllim të shikonte nëse banka u ishte përmbajtur apo jo politikave të saj, dolën deklarata të pabazuara kundër veprimeve të qeverisë me këtë projekt. Unë dua të jem shumë i qartë. Procesi i panelit të inspektimit nuk heton në asnjë mënyrë veprimet e klientëve tanë dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të interpretohet si i tillë. Për më tepër, nuk pati asnjë provë për korrupsion, në mënyrë që Departamenti për Integritetin Institucional të Bankës, të kryente hetime të mëtejshme. Pra, përfundimisht, duhet të pranojmë që banka ka bërë gabime në këtë projekt. Po punojmë që të sigurohemi që kjo nuk do të ndodhë më në të ardhmen, qoftë këtu, apo në ndonjë vend tjetër.

Megjithatë, sot do të doja të përqendrohesha tek e ardhmja, po iniciojmë përgatitjen e strategjisë së re të partneritetit me Shqipërinë për vitet 2010-2013 dhe presim të realizojmë një partneritet të fuqishëm dhe të frytshëm për vitet që vijnë, ndërsa Shqipëria përparon në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimit Europian.

Ne kemi mbështetur shumë vende në rajon, ndërsa ato përshkonin rrugë të ngjashme dhe besojmë në këtë kontekst, se Shqipërisë mund t'i ofrojmë mundësi përfitimi nga këto përvoja, në veçanti, në ruajtjen e progresit të bërë deri tani dhe për përballimin e sfidave të reja. Përvoja historike e fqinjëve tuaj ka treguar se sa i brishtë mund të jetë zhvillimi, nëse ai nuk është gjithëpërfshirës nga pikëpamja sociale, etnike dhe politike. Në këtë këndvështrim, Shqipëria dallohet si një vend që është menaxhuar jashtëzakonisht mirë në këtë drejtim, duke kontribuar kështu edhe në stabilitetin rajonal. Gjatë vizitës dje, në muzeun e Onufrit, pashë një ikonë të jashtëzakonshme, të mrekullueshme të Onufrit, ku tregohet se si besimet e ndryshme fetare kanë jetuar dhe jetojnë në harmoni.

Kriza aktuale financiare dhe ekonomike na ka treguar se sa i brishtë mund të jetë progresi, pa pasur mbështetjen e një supervizioni të mirë bankar dhe një politike të shëndoshë fiskale. Sigurisht që aftësia e Shqipërisë në menaxhimin e krizës deri tani, është dëshmi e mësimeve që ajo ka nxjerrë vet nga e kaluara e saj.

Megjithatë, në kushtet kur ndikimi i krizës vazhdon të rritet, ne do t'ju inkurajonim që të mbaheni fort në traditën tuaj të një politike fiskale të shëndoshë, të duruar dhe të kujdesshme, që e ka ndihmuar këtë ekonomi në të kaluarën, që mbetet fleksibël dhe që rritet fuqishëm prej 19 vjetësh.

Në përfundim, mësimet e nxjerra nga debatet për ndryshimet klimatike, na tregojnë se sa i brishtë mund të jetë zhvillimi ynë, nëse ne nuk kujdesemi për planetin tonë. Madje edhe ngjarjet e ditëve të fundit tregojnë se sa të brishtë jemi ne ndaj ndryshimeve klimatike.

Më lejoni që me këtë rast t'ju shpreh solidaritetin familjeve që janë prekur nga përmbytjet e mëdha në rajonin e Shkodrës dhe t'ju ofroj mbështetjen tonë, të gjithë atyre që po përpiqen, duke u zhvendosur me familjet e gjënë e gjallë. Banka Botërore, ndërkaq, është duke e mbështetur qeverinë shqiptare, përmes një paneli ndërkombëtar ekspertësh, të cilët po ndihmojnë KESH-in dhe institucionet e tjera analoge që të monitorojnë funksionimin e digave. Jemi të gatshëm të ndihmojmë në rehabilitimin e rindërtimin e zonave të dëmtuara në Shkodër, nga ngjarja e të cilës janë prekur jetët e kaq shumë njerëzve.

Përmes strategjisë sonë të re të partneritetit për Shqipërinë, ambicia jonë është të vazhdojmë të jemi një partner i besueshëm dhe efektiv i popullit shqiptar, në këtë rrugëtim të mrekullueshëm drejt prosperitetit. Më lejoni që të theksoj edhe njëherë se jemi të vendosur për të mbështetur përpjekjet tuaja për të ndërtuar një Shqipëri gjithëpërfshirëse nga pikëpamja sociale, të menaxhuar mirë financiarisht, me një mjedis të qëndrueshëm e që do të bëhet një anëtare me të drejta të plota në BE.

KOMENTE