"Me ndihmën financiare që arrin rreth 1 miliard dollarë, Banka Botërore ka ndihmuar Shqipërinë në qindra projekte që bënë të mundur transformimin e këtij vendi nga 2 apo 3 vendet më të varfra të planetit, nga vendi i hiperkolektivizmit total dhe sistemit totalitar më të egër, në një vend me ekonomi tregu, në një vend me hapa të mëdha në procesin e integrimit europian, me institucione të një demokracie funksionuese dhe që është shkëputur nga grupi i vendeve të varfra dhe është vendosur në grupin e vendeve me te ardhura mesatare"
Nga Sali Berisha
Kryeministër
Kjo mbledhje është një mbledhje historike në partneritetin dhe bashkëpunimin e shkëlqyer 20 vjeçar që Shqipëria ka pasur dhe ka me Bankën Botërore. Sikundër dua të theksoj se vizita e Zv/presidentit të BB-së është një ngjarje e madhe në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Bankës Botërore. Së pari, unë dua t'i shpreh mirënjohjen time më të thellë Zv/presidentit, për partneritetin e shkëlqyer dhe ndihmën eficente që Banka Botërore i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve gjatë gjithë këtyre viteve. Me ndihmën financiare që arrin rreth 1 miliard dollarë, Banka Botërore ka ndihmuar Shqipërinë në qindra projekte që bënë të mundur transformimin e këtij vendi nga 2 apo 3 vendet më të varfra të planetit, nga vendi i hiperkolektivizmit total dhe sistemit totalitar më të egër, në një vend me ekonomi tregu, në një vend me hapa të mëdha në procesin e integrimit europian, me institucione të një demokracie funksionuese dhe që është shkëputur nga grupi i vendeve të varfra dhe është vendosur në grupin e vendeve me te ardhura mesatare.
Me Zv/presidentin e BB-së ne bëmë një shqyrtim të bashkëpunimit të suksesshëm të viteve, në kuadrin e strategjisë së bashkëpunimit me vende të Bankës, si dhe përcaktuam fushat e përqendrimit në stadin e ardhshëm të bashkëpunimit midis BB-së dhe Shqipërisë, përcaktimi i një marrëveshje të re, të bazuar tërësisht në prioritet e mëdha të qeverisë dhe të zhvillimit të vendit.
Në takimin para kësaj mbledhje, unë shpreha vlerësimin më të madh për projektet e rëndësishme që Banka Botërore udhëheq në Shqipëri. Në veçanti për projektet në fushën e transportit, Banka Botërore ka dhënë një kontribut të madh me financimet e saj, në mobilizimin e fondeve nga donatorët në disa projekte madhore që po ndryshojnë vendin, ndër të cilat unë do të përmendja segmentin Milot-Rrëshen të autostradës Durrës-Prishtinë, por do të theksoja këtu edhe projektin e rrugëve dytësore, projekt që po transformon, me zbatimin e tij të suksesshëm, gjithnjë e më shumë jetën e zonave rurale të Shqipërisë. Kërkova nga Zv/presidenti të shqyrtojë mundësinë që në këtë portofol të përfshijë edhe ndihmën dhe financimin për furnizimin me ujë, që të shkojnë paralel njëra me tjetrën. Ky është një program i suksesshëm.
Banka Botërore prej shumë vitesh ka dhënë një kontribut thelbësor në zhvillimin e bujqësisë shqiptare. Ramë dakord me Zv/presidentin që bujqësia të mbetet një përparësi madhore, së pari në fushën e vaditjes. Qeveria ime ka një ambicie të madhe që të transformojë vaditjen në Shqipëri dhe të shtrijë sipërfaqen e tokës nën ujë nga 180 deri në 200 mijë hektarë, sikundër të adaptojë metodat më moderne të vaditjes, si një vendim që të mund të ndryshojë psikologjinë lokale dhe qëndrimin në tërësi ndaj ujit në fushën e bujqësisë. Në bujqësi unë informova Zv/predisdentin se një projekt tjetër madhor është duke u zhvilluar dhe ky është projekti i mbjelljes të 20 milion rrënjëve ullinj, në 4 vite. Rëndësia e këtij projekti është multidimensionale dhe kam kënaqësinë t'ju informoj se ky projekt zgjoi interesin e Zv/predisdentin të Bankës Botërore, për të shqyrtuar mundësinë e kontributit të saj, në aspekte të veçanta të këtij projekti.
Por dua të theksoj se e lidhur shumë me mbështetjen në fushën e bujqësisë është edhe ndihma që unë kërkova nga Banka Botërore për luftën kundër varfërisë në zonat dhe hartën ku ajo shtrihet. Shqipëria ka një sipërfaqe të gjerë të varfër dhe në kërkesat që unë parashtrova dy ishin prioritet: të na ndihmojnë, në mënyrë që të mos ketë asnjë qytetar shqiptar në varfëri ekstreme dhe e dyta është se Banka Botërore po jep një kontribut të pamohueshëm me projektin e rrugëve dytësore dhe projekte të tjera që po financon, por e konsideroj shumë të domosdoshëm ndihmën për një sistem mikrokrediti. Qeveria ka qenë dhe është në kontakt me nobelistin e mikrokreditit, prof. Yusuf. Ekipi i tij i Bankës Grameen bëri një vizitë në dhjetor. Gjatë janarit do të organizojë një workshop. Zv/presidenti e priti me shumë interes këtë zhvillim dhe më garantoi se Banka Botërore mbetet shumë e vendosur në luftën kundër varfërisë në Shqipëri dhe kudo në botë dhe do të na mbështesë në këtë përpjekje.
Një çështje shumë e rëndësishme tjetër është reforma në shëndetësi. Ne kemi rritur ndjeshëm buxhetin në fushën e shëndetësisë dhe e rrisim atë progresivisht. Por ne nuk kemi rezultatet e pritshme në këtë fushë, sepse kjo fushë ka nevojë për një reformë të thellë. Hapa të rëndësishme janë hedhur gjatë këtij viti. Ne jemi të vendosur si qeveri të thellojmë reformën e sistemit shëndetësor, si kusht themelor për të gjithë zhvillimin dhe konsolidimin e tij të mëtejshëm dhe për t'ju garantuar qytetarëve shqiptarë shërbimin shëndetësor që meritojnë. Zv/presidenti i BB-së më garantoi se ndihma në fushën e shëndetësisë me reformën do të jetë e pakursyer dhe se Banka Botërore e konsideron reformën si kusht të të gjitha kushteve për zhvillimin e mëtejshëm të një sistemi shëndetësor, në përputhje me nevojat dhe kërkesat e qytetarëve shqiptarë.
Arsimi është një fushë tjetër në të cilin ne kemi një bashkëpunim të gjatë me Bankën Botërore. Qeveria pothuajse ka dyfishuar buxhetin për arsimin në 4 vite, po shkon drejt trefishimit të numrit të studentëve, në 4 vite. Reforma të thella janë bërë në këtë sistem. Unë dua t'ju siguroj juve, zoti Zv/ president se arsimi përbën përparësinë më madhore të qeverisë sime. Në Shqipëri, sot çdo shkollë, në çdo skaj të vendit ka kabinet të informatikës dhe internetit. Ne jemi në disa reforma dhe përpjekje të mëdha për të sjelle vendin në moshë dixhitale dhe për këtë arsye, ne e filluam nga shkollat këtë reformë. Në këtë kuadër, ndihma juaj është shumë e dobishme. Ne kemi një projekt me rreth 70 milion dollarë të shanseve të barabarta dhe ky projekt është shumë i dobishëm për ne.
Me zotin Zv/president ne diskutuam gjerësisht për energjetikën. Banka Botërore angazhohet të na ndihmojë, sikundër deri më sot, me një projekt të rëndësishëm për sigurinë e digave dhe në përpjekjen tonë për të shndërruar Shqipërinë në një superfuqi të vogël të prodhimit të energjisë së pastër, në rajon. Në këtë kontekst, AEVSI është shumë e mirëpritur të financojë sektorin privat, në mënyrë që të vazhdojë ndërtimi i dhjetëra apo qindra HEC-ve, në të katër anët e vendit.
Menaxhimi i tokës ishte një fushë tjetër e një rëndësie themelore, në të cilën ne u ndalëm. Banka Botërore ka përqendruar fondet dhe resurset njerëzore për të kompletuar këtë reformë, të cilën unë do ta konsideroja fondamentale.
Natyrisht një diskutim të veçantë bëmë për reformën sociale. Kjo reformë është jetike për konsolidimin e tisutit social të qeverisë shqiptare. Ambiciet e qeverisë sime janë që të mund të organizojë një ndihmë ekonomike eficente për ata që janë në nevojë dhe të luftojë me agresivitet varfërinë, të përjashtojë varfërinë ekstreme nga ky vend. Në të gjithë këto fusha, ndihma e Bankës Botërore është e garantuar dhe jashtëzakonisht e mirëpritur.
Publiku shqiptar e di se ka patur një lloj kundërshtie, siç është e zakonshme midis partnerëve, për projektin e zhvillimit të zonës bregdetare. Të gjithë këto probleme janë qartësuar përfundimisht në rrafshin bilateral dhe nuk mbetet as edhe një çështje lidhur me këtë projekt. Qeveria ka zbatuar me luajalitet marrëveshjen me Bankën Botërore. Banka e ka shumë të qartë dhe Zv/Presidenti siguroi qeverinë se është plotësisht i bindur në rëndësinë e këtij projekti dhe në korrektesën e qeverisë shqiptare.
Zoti Zv/president edhe njëherë dua t'ju uroj mirëseardhjen dhe të garantoj se kjo vizitë hap një stad të ri bashkëpunimi të shkëlqyer midis Shqipërisë dhe Bankës Botërore. Unë u impresionova nga konkordanca e pikëpamjeve tona në prioritetet për zhvillimin e vendit, por edhe për zhvillimet rajonale.
(*) Fjala e mbajtur sot në mbledhjen e Komitet të Planifikimit Strategjik