English

Ollbrajt: NATO t'i përshtatet realitetit të ri

Është koha që NATO-ja t'i ribëjë premtimet dhe të ofrojë siguri për anëtarët e vet, në një botë që gjithmonë e më shumë po bëhet e rrezikshme, tha ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, Madlen Ollbrajt

Nga Brian Whitmore

Ollbrajt i bëri komentet në hapje të një konference ndërkombëtare, që po mbahet në Pragë, konferencë që synon të ripërkufizojë misionin e Aleancës në shekullin XXI. Propozim-dokumenti që do të hartohet në konferencën e Pragës, do të paraqitet për miratim në takimin e NATO-s, që do të mbahet në Lisbonë, në prill të këtij viti. Ky dokument, nëse miratohet, do të përbëjë thelbin e NATO-s. "Koncepti i fundit strategjik është hartuar në vitin 1999, kohë përpara se vendet e reja anëtare të Aleancës të ishin aktive, dhe disa vite përpara sulmeve terroriste të 11 Shtatorit. Në një kohë që Aleanca ka mbushur 60 vjet, kërkohet një lloj përkushtimi i ri, apo ribërja e premtimeve", tha Ollbrajt. Hartimi i konceptit strategjik të NATO-s vjen në kohën kur shumë nga vendet e ish-bllokut lindor janë gjithnjë e më të shqetësuara për qasjen e re ruse në Evropë dhe aftësinë e aleancës transatlantike për t'i mbrojtur ato. Në veçanti, Polonia dhe vendet baltike janë të shqetësuara se kufijtë lindorë të NATO-s janë në një shkallë të madhe të pambrojtur. Vendet e Evropës lindore kanë dyshime nëse do të respektohet Artikulli 5 i Kartës së Aleancës, nëse Rusia sulmon ndonjë nga vendet lindore. Artikulli 5 parasheh detyrimin e vendeve të NATO-s që të veprojnë, nëse një nga shtetet anëtare sulmohet. Ollbrajt tha se për t'i adresuar të gjitha këto shqetësime, duhet të ritheksohet rëndësia e Artikullit 5, si dhe duhet të përmirësohen marrëdhëniet me Moskën. "Nuk ka dyshim se koncepti i sigurisë është i rëndësishëm dhe Artikulli 5 është elementi qendror i Aleancës në këtë drejtim. Nga ana tjetër, është shumë e rëndësishme t'i rinisim marrëdhëniet tona me Rusinë", theksoi Ollbrajt. Një tjetër shqetësim i ngritur nga vendet evropiano-lindore, anëtare të Aleancës, ka të bëjë me fokusimin në misionet jashtë hapësirës së Aleancës. Ish-kryediplomatja amerikane, duke adresuar këtë shqetësim, theksoi se misionet jashtë vendeve anëtare të NATO-s, janë të rëndësishme. "Mendoj se misionet e NATO-s jashtë vendeve anëtare janë pjesë e krijimit të një stabiliteti më të gjerë, të nevojshëm në shekullin XXI, jo vetëm për vendet anëtare të NATO-s, por edhe për shtetet e tjera", tha Madlen Ollbrajt. Ajo shtoi se, megjithatë, NATO-ja duhet të përshtatet në një botë që po ndryshon me shpejtësi. "Ne duhet të kuptojmë se kemi të bëjmë me aleancën më të fuqishme ushtarake në historinë e botës, aleancë që ka shërbyer për qëllime jashtëzakonisht të mëdha. E derisa bota evoluon në shekullin XXI, do të vazhdojë të ketë nevojë për NATO-n dhe NATO-ja duhet të përshtatet me situatën e re", tha Ollbrajt.

KOMENTE