Kavajë, 14 janar, NOA - Në orët e para të mëngjesit, forcat e policisë së Kavajës, në kuadrin e operacionit të koduar "Qerret" kanë arrestuar në flagrancë dy persona pasi i kanë kapur me 4 kg lëndë narkotike e llojit kanabis sativa.
Lajmi bëhet me dijeni për agjencinë e Lajmeve NOA nga burime policore të Tiranës, sipas të cilave dy të ndaluarit janë Leonard Faskaj, 32 vjeç, lindur në Cakran Fier e banues në Tiranë si dhe Liridon Hyla, 20 vjeç, lindur në Pejë dhe banues në Tiranë.
Mësohet se kapja e tyre u bë në autostradën Kavajë-Durrës, në afërsi të fshatit Qerret, ku pas një kontrolli të ushtruar nga forcat policore, të cilat kanë konstatuar të fshehur sasinë e drogës së lartpërmendur në automjetin e tyre me targë TR 1636 S në dy qese në vendin e gomës rezervë në bagazh.
Ndërkohë, pas një kontrolli të imtësishëm të ushtruar në banesën e Hylas është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale sasi prej 3 gramë lënde e dyshuar narkotike e lloit "Kokainë".
U kryen veprimet proceduriale, materialet do t'i kalojnë prokurorisë për veprën penale të "Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve" në bashkëpunim, parashikuar nga neni 283/2 i Kodit Penal.
n.e/NOA