Tiranë, 14 janar NOA - Deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Beqja ka deklaruar sot para mediave se deklarata e zëdhënësit të Korporatës Energjetike të Kosovës se gjatë gjithë muajit nëntor dhe pjesës dërrmuese të muajit dhjetor, KEK ka eksportuar energji elektrike në Shqipëri, ka nxjerr në shesh gënjeshtrën e kryeministrit Berisha se përmbytjet në veri të vendit janë pasojë e një katastrofe natyrore.
"Ditën e djeshme, nga Kosova, erdhi prova më e fundit, që tregon qartazi se përmbytja e Shkodrës nuk ishte pasojë e një katastrofe natyrore, siç rreket me kot Sali Berisha t'u mbushë mendjen shqiptarëve, por pasojë e papërgjegjshmërisë dhe korrupsionit të kësaj qeverie të votave të vjedhura.
Në ditët e para të Janarit, teksa uji vërshonte në shtëpitë e shkodranëve duke përmbytur banesa, toka, të mbjella dhe bagëti, zëdhënësit e qeverisë dhe përfaqësuesit e KESH nuk pranonin përgjegjësinë e tyre në këtë katastrofë që kishte mbërthyer Veriun e Shqipërisë.
Shqipëria nuk ka importuar energji, siguronin përfaqësuesit e qeverisë dhe korporatës.
Ndërkohë, e vërteta që doli në shesh botërisht dje, është krejt ndryshe" tha Beqja.
Sipas tij zëdhënësi i Korporatës Energjetike të Kosovës, pohoi dje se gjatë gjithë muajit nëntor dhe pjesës dërrmuese të muajit dhjetor, KEK ka eksportuar energji elektrike në Shqipëri.
"Pra, me përjashtim të dy ditëve të fundit të vitit, gjatë gjithë dhjetorit, siç pohohet nga Kosova, Shqipëria ka importuar energji elektrike, edhe pse niveli i kaskadave kishte kaluar çdo kufi dhe çdo normë të lejuar.
Në kushtet kur niveli i ujit në diga i afrohej frikshëm nivelit maksimal të lejuar, madje edhe e tejkalonte atë, vendi ynë në vend që të eksportonte energji për të shmangur përmbytjen, bënte të kundërtën.
Importonte energji, rriste edhe më shumë nivelet në kaskada, çka sigurisht do të sillte më pas të pashmangshmen: Përmbytjen e qindra familjeve, shkatërrimin e qindra shtëpive, tokave të punuara, produkteve bujqësore dhe gjësë së gjallë.
Kjo është e vërteta, që dje doli në shesh botërisht. Kjo është përgjegjësia e qeverisë shqiptare, që sot, nuk mund dhe nuk duhet të vazhdojë e të gënjejë duke u thënë shqiptarëve se përmbytja erdhi nga natyra" tha më tej Beqja duke shtuar se përmbytja erdhi si rezultat i papërgjegjshmërisë dhe korrupsionit të kësaj qeverie, e cila sot, një ore e më parë, duhet të japë asistencë financiare me lekë në dorë, qindarkë më qindarkë, për të gjithë ato familje që mbajnë ende sytë nga qielli e që nuk arrijnë dot të mbijetojnë.
k.k/NOA