English

Shekulli i shkurtër

Nga reliktet e Perandorisë së Shenjtë Romake te Lagerët, bomba atomike, AIDS-i

Nga Enzo Bettiza/"La Stampa"

Të definohet shekulli Njëzet «shekulli i shkurtër» tashmë është një vend i përbashkët. Formula, e shpikur nga Eric Hobsbawm, duket e shtrembëruar nga një paragjykim ideologjik restriktiv dhe jo krejt i pavetëdijshëm. Ajo mundohet të shtrëngojë, në këmishën e forcës së «shkurtësisë», shekullin më kompleks dhe më të dendur të përshkuar nga miliona krijesa mes shfarosjesh, eksodesh, sëmundjesh dhe mrekullish të padëgjuara. Qëllimi i nënkuptuar nga anglezi Hobsbawn, studiues i zoti me orientim marksist, ishte ta bënte të koincidente pothuajse me milimetër historinë e shek. XX me jetëgjatësinë e komunizmit real. Nga 1917-a e Pietrogradit deri te nemezia e Berlinit. Amputacion melankolik dhe në të njëjtën kohë arbitrar i një të tretës së shekullit, i bërë nga një historian që, i zhgënjyer nga historia, ka vendosur ta përvjelë, duke ia kondensuar kuptimin dhe parabolën brenda horizontit të qarkuar, edhe të predominuar nga fenomeni komunist.

Duke i dhënë zgjerimin e një shekulli sado që të shkurtuar, Hobsbawn me gjasë ka mëtuar të vër kështu, të paktën anash, mbi varret e komunizmit, kurorën e një mirënjohjeje postume valerëuese: e ka celebruar me shkëputje faktin historik të kryer duke e projektuar, me tmerrshmërinë e tij të paanë, përtej të mirës dhe të keqes. Definitivisht, Hobsbawm, duke prerë shkurt, ka dhënë përshtypjen se po i ngrihet qerpiku i terur, pa qarë me lot, në perandorinë euroaziatike të Xhengis Khanit gjeorgjian që nxori nga akulli emrin që pastaj u shenjtërua nga Stalini. Por mbetet fakti se ideja e shkurtësisë, e restrikcionit kronologjik në një mori datash sinjalitike, pajtohet keq me realitetin shumëformësh dhe fluid të një shek. XX që s'dihet mirë kur ka filluar. Më 1905, në Pieterburg? 1912 në Ballkan? 1914 në Sarajevë? 1917 në Pietergrad? As nuk dihet kur dhe si do të përfundojë. Zbrazëtia e lënë nga totalitarizmat e mposhtur apo të pashpërthyer, sot e mbushur në mënyrë asimetrike, nga fundamentalizmi islamik, s'na lë të shohim një frakturë mes dy periudhash të dallueshme historike; na lë të vërejmë, nëse, gërshetimin hiperbolik dhe të frikshëm të një epoke të rrezikshme në tjetrën pa solucione kontinuiteti. Me të përfunduar lufta e ftohtë mes blloqeve të egra, ajo është zëvendësuar menjëherë nga guerilja globale bredhëse, e pakapshme, e lansuar kundër një blloku të vetëm nga një mori trupash të padukshme vetëvrasëse. Letërsia e madhe mbase mund të na japë një përgjigje të tërthorë në lidhje me këtë. Ta marrim veprën, në mënyrë të shkëlqyeshme dykuptimore, e Proust-it. Do të mund ta definonim si njërën nga narracionet më të mëdha mondane të shek. XX? Do të mund të thoshim se është, bashkë me psikanalizën, njëri nga çelësat kryesorë të leximit dhe përshkrimit të shpirtit të shek. XX? Jo dhe po.

Vlen më shumë enigma stimuluese e krijimit artistik me shenjat e saj të pafundme. Proust filloi ta ngjizte dhe hidhte në boca veprën e vet në gjysmën e dytë të vonë të shek. XIX. Vuri, në qendër të mijëra faqeve, një afresk sa të hijshëm po aq malinj, të shoqërisë së lartë parisiene që ende i përkiste shek. XIX. Ilustroi sallonet dhe banketet e dominuara, në kapërcyell të dy shekujve, nga reperkusionet e çështjes Dreyfus, pastaj vazhdoi të paraqiste debatuesit tashmë të dërrmuar dhe sorollatës si larva të çmemoruara në Parisin e luftës së vitit 1914. Përfundoi së shkruari dhe jetuari më 1922. Vëllimi i fundit, Koha e rigjetur, u botua pas vdekjes në fillim të vitit 1927. Përmbajtja sociologjike, por e palëvizshme, e Kërkimeve filtrohej gjithmonë nga bisedat idiote dhe nga zakonet hipokrite të zotërinjve të shek. XX; ndërsa gjallërimi moralisht agnostik e bile edhe mizor i disa individëve të blasonuar dhe blasé, që dukej të ushqeheshin vetëm nga epopetë imagjinare të salloneve, sugjerojnë idenë e një trupi vallëzimi me maskë tashmë e dedikuar paraprijë, nga një pozicion relativisht i largët, nihilizmin e ëmbël dhe përtac që do ta karakterizojë plotësisht decenien e sapo përshkuar të shek. XXI evropian. Përmbytja e paformë proustiane na duket, sot më shumë se kurrë, një metaforë sublimuese e shekullit më të gjatë të qytetërimit të lodhur dhe të rraskapitur perëndimor. Më shumë se i shkurtër! Kurrë s'ishte parë një shekull që barte, të përmbysur në mënyrë proustiane, aq të kaluara të humbura dhe aq mirazhe në zhvillim. Reliktet ekstreme mesjetare të Perandorisë së Shenjtë Romake dhe bomba e fundit atomike, luftërat dhe revolucionet, Auschwitzi dhe krijimi i një shteti hebraik, Gulagu dhe Solzhenicyni, penicilina dhe Aidsi, shkatërrimi total dhe rilindja spontane e kombeve të mëdha të shuara.

Kurrë nuk ishin parë kaq përshkime e shkëmbime mes vdekjes dhe jetës. Pra: askush ende nuk kishte guxuar të imagjinonte se një shekull, një i vetëm, jo një milenium, mund të kullonte në mënyrë simultane helmet më vdekjeprurëse dhe antidotet më shpëtimtare për njeriun e shek. XX. Do të shohim a do të vlejnë më tepër te trashëgimtarët të parët apo të dytët. Përktheu: Arben Idrizi

KOMENTE