English

Shirin Ebadi përgatitet për fundin

Përse fituesja e çmimit Nobel për Paqe mendon se ditët e regjimit iranian janë të numëruara?

Nga Xhefri Gedmin* Të dëgjosh Shirin Ebadin e kupton se sa në mënyrë dramatike kanë ndryshuar gjërat në Iran në muajt e fundit. Fituesja e çmimit Nobel nuk ka qenë në Iran që nga zgjedhjet kundërthënëse parlamentare të qershorit të kaluar. Në nëntor autoritetet konfiskuan medaljen e çmimit Nobel për Paqe nga një depozitë e sigurt në Teheran. Pas Krishtlindjeve, ata arrestuan motrën e saj në Teheran. Bashkëshortit të Ebadit iu mor pasaporta nga autoritetet dhe kur ia kthyen, ai e kuptoi se ishte një pasaportë false. Kam folur së fundi me Ebadin në thellësi rreth zhvillimeve në Iran. Verën e kaluar mijëra protestues që mbushën rrugët e Teheranit thërrisnin "Na ktheni votën". Por, nuk është më vetëm për abuzimet në zgjedhje. Në tubimet e ditëve të fundit njerëzit thërrisnin "Vdekje liderit suprem". Madje, klerikët reformistë që më parë flisnin për paprekshmërinë e sistemit, tani kërkojnë zgjedhje të lira, media të lira, liri të fjalës dhe të mbledhjes. Ebadi duket se ka kaluar nëpër një rrugë të ngjashme. Avokatja 62-vjeçare e të drejtave të njeriut, ka denoncuar përpjekjet e administratës Bush për nxitjen e demokracisë. Ajo synon reformimin e sistemit, jo zhbërjen e tij, do të thoshte vetë Ebadi. Ebadi ishte kundër retorikës së "aksit të së keqes" dhe në vazhdimësi sulmoi iniciativën e Departamentit të Shtetit në kohën e Bushit për të dërguar 75 milionë dollarë për opozitën dhe grupet e të drejtave të njeriut. Në këtë pikë ajo nuk ka ndryshuar mendim. Ajo vazhdon të besojë se ndihma nga jashtë për lëvizjen demokratike është gabim. Por, është e pamundur të mos e vëresh se, derisa situata në Iran ka ndryshuar, edhe pikëpamjet e Ebdait kanë evoluar. Ajo në vazhdimësi, gjatë bisedës që pata me të, theksonte se: "Nuk mund të bëni punë me këtë regjim". Ajo është e bindur se udhëheqja e Iranit nuk po negocion me vullnet të mirë në çështjen e programeve bërthamore. Dhe, nuk do t'i bindet ndonjë marrëveshjeje të arritur me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Ebdai ka qenë mbështetëse e fuqishme e dialogut pa kushte SHBA - Iran. Ajo ende e mbështet dialogun, por tani kërkon që të përfshihen edhe të drejtat e njeriut, si dhe një strategji për mbështetjen e shoqërisë civile dhe shtetit ligjor. Ajo mendon se vetëm një qeveri iraniane që respekton të drejtat e njeriut, mund të jetë një partner i besueshëm i perëndimit në bisedimet për programet bërthamore të Iranit. Por, si të arrihet deri aty? Nëse Shtetet e Bashkuara shtyjnë përpara opsionin e sanksioneve të reja, Ebadi thotë se Radio Farda, që është shërbimi në gjuhën perse i Radios Evropa e Lirë, së bashku me Zërin e Amerikës dhe BBC-në, në gjuhën perse, duhet të ndihmojnë që t'i bindin iranianët e thjeshtë se sanksionet kanë për qëllim të godasin regjimin, jo njerëzit. Ashtu si shumë iranianë, Ebadi është e shqetësuar për pasionet që mund të ngrejë peshë nacionalizmi. Ajo i trembet faktit se gabimet e bëra në të kaluarën nga politika e jashtme amerikane, si dhe mania e iranianëve për teoritë e konspiracionit, mund të jenë përbërës të një produkti toksik. Ebadi shpreson shumë te politika e SHBA-ve, në radhë të parë se është një admiruese e madhe e presidentit Barak Obama. Ajo ka mbrojtur në intervista të ndryshme marrjen e çmimit Nobel për Paqe nga Obama. Ajo mendon se ai e meriton çmimin për sinqeritetin dhe angazhimin ndaj vlerave humane e liberale. Ajo përshëndet përpjekjet e presidentit për reformën e sistemit shëndetësor në Shtetet e Bashkuara. Por, entuziazmi i saj për Obamën qëndron bri faktit se demokracia dhe të drejtat e njeriut nuk janë ende përparësi e kësaj administrate. Kur e pyes Ebadin se çfarë mendon për të ardhmen e saj në politikë, ajo me këmbëngulje e hedh poshtë një mundësi të tillë. Por, ajo e pranon se çështja e udhëheqësisë është themelore për opozitën iraniane. Asnjë figurë e vetme nuk ka dalë ende që të mund të mbledhë gjithë vendin rreth vetes dhe të bashkojë grupet e ndara të opozitës. E vërteta është se një grua sekulare vështirë se mund të ofrojë një lidership të kësaj natyre në Iran. Por, është e qartë se regjimi i trembet ndikimit të Ebadit. Në gjashtë muajt e fundit opozita është zgjeruar dhe është bërë më e thellë. Ebadi thotë se është e pakuptimtë të mendosh se opozita përbëhet nga një grup i vogël i elitës iraniane i bazuar në Teheran. Lëvizja demokratike është edhe në qytetet e tjera dhe po rritet, thotë Ebadi. Gjithashtu ka shenja si grupet opozitare si ato sekulare dhe ato fetare po bashkëpunojnë. Nëse ky bashkëpunim vazhdon, do të ishte një zhvillim dramatik. Është e mundur që qeveria të arrijë kompromis me lëvizjen protestuese dhe të jetë e suksesshme në përfshirjen në qeveri të elementeve kyçe të opozitës. Mirëpo, derisa çdo javë shoqërohet me akte të reja dhune, me arrestime, rrahje dhe dhunime, ky skenar duket të ketë gjithnjë e më pak gjasa. Nëse ata që drejtojnë Iranin janë në fund të mbretërimit të tyre të përgjakshëm, Shtetet e Bashkuara dhe vendet aleate kanë shumëçka për të menduar. Të dëgjojnë Shirin Ebadin është një fillim i mirë.

(*) President i radios Evropa e Lirë

KOMENTE