English

Tanja Fajon: Kosova ka ende mjaft kritere për të përmbushur

Bruksel, 14 janar, NOA - Eurodeputetja sllovene Tanja Fajon, i tha BBC-së se Kosova është ende larg marrjes së një udhërrëfyesi nga BE-ja për procesin e liberalizimit të vizave, por shfaqi shpresën e saj se Komisioni Evropian do të fillojë së shpejti një lloj dialogu edhe me Prishtinën për këtë proces.

Znj.Fajon, a mund të na jepni një vlerësim nëse procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën do të vështirësohet në këtë periudhë kur me BE-në kryeson Spanja, një vend që nuk e ka njohur pavarësinë e saj?

- Ju e dini se Parlamenti i Evropës, në nëntorin e kaluar, i dha një mbështetje të fuqishme edhe përfshirjes së Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave. Ne i bëmë thirrje edhe Këshillit por edhe Komisionit se është e domosdoshme që ta marrë parasysh edhe Kosovën dhe të gjejë një zgjidhje edhe për qytetarët që jetojnë në Kosovë. Kjo sepse ajo nuk mund të mbetet një lloj "vrime e zezë" në Ballkanin Perëndimor.

Është e qartë se Kosova është ende larg nga një udhërrëfyes këtu në Bruksel sa i përket liberalizimit të vizave. Komisioni Evropian ofroi një lloj udhëzuesi dhe unë besoj se qytetarët e Kosovës duhet të kenë të njëjtën mundësi që të udhëtojnë lirisht në BE sikur edhe fqinjët e tyre në rajon. Sepse nëse vazhdojmë që të kemi këtë lloj "muri të hekurt" për Ballkanin perëndimor nuk mund të flasim për paqen, përparimin dhe për një kontinent të bashkuar evropian.

Unë dhe Parlamenti do të bëjmë çdo gjë të mundur që të sjellim qytetarët e Kosovës më afër BE-së por ka shumë probleme dhe kritere për të përmbushur nga ana e kosovarëve dhe udhëheqësve përgjegjës në rajon. Unë shpresoj se Komisioni do të fillojë një lloj dialogu për të përfshirë Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave.

Ju me të drejtë e përmendët presidencën spanjole të BE-së dhe frikën që ekziston. Por mendoj se presidenca spanjole do të jetë e përkuhstuar për procesin e zgjerimit. Mendoj se mjeti më i mirë është vazhdimi i reformave, dhe ato nuk i bëni për përmbushur disa pritje të Bruskelit por i bëni për qytetarët tuaj.

A nuk është paksa ironik fakti se Kosova megjithëse e mbikëqyrur nga vetë BE-ja, nuk përfshihet në asnjë proces evropian?

- Ju e dini se Kosova është një çështje shumë e ndjeshme dhe politikisht shumë e vështirë, sepse statusi I Kosovës ende nuk është zgjidhur. Ka pesë vende anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe kanë probleme të mëdha me këtë.

Mendoj se është një rrugë e gjatë për të gjetur zgjidhjen për qytetarët e Kosovës dhe gjithashtu është shumë e vështirë që tani të paragjykohet se cila do të jetë zgjidhja por në fund të fundit ajo do t'u jepet qytetarëve.

Shpresoj se do të ketë përgjegjshmëri nga të dyja palët, nga BE-ja dhe politikanët në Kosovë, por gjithashtu edhe në Serbi e rajon, që të ndihmojnë të gjendet një zgjidhje për qytetarët. Unë shpresoj se ky vit, 2010, do të shtyjë përpara proceset në Kosovë drejt integrimeve evropiane.

Pra ju po prisni një lloj dialogu ndërmjet Prishtinës e Beogradit për të gjetur një zgjidhje për statusin e Kosovës?

- Unë besoj se do të duhej të ishte një lloj vendimi që shumë njerëz janë duke pritur në Gjykatën e Hagës, sa i përket statusit të Kosovës, me gjasa shumë gjëra do të ngrihen pas vendimit prandaj është shumë e vështirë për të paragjykuar.

Ka shumë mendime liberale brenda BE-së por edhe mendime të rezervuara. Është e domosdoshme të zgjidhet statusi i Kosovës dhe prandaj unë mendoj se procesi i liberalizimit të vizave do të duhej të ishte i ndarë dhe se ne duhet të gjejmë një lloj zgjidhje për të përfshirë Kosovën dhe qytetarët e saj në këtë process.

Ju po thoni se Kosova nuk duhet të mbetet një lloj "vrime e zezë" në këtë process të liberalizimit të vizave. Por me sa duket ajo po bëhet e tillë. Nga mesi i këtij viti Shqipëria dhe Bosnjë e Hercegovina pritet të hyjnë në këtë process. Sa do të marr kohë për Kosovën kjo?

- Kam shprehur keqardhjen time që në korrik të vitit të kaluar kur Shqipëria dhe Bosnja nuk u përfshinë në të ashtuquajturën listë të bardhë të vizave. Por më erdhi mirë kur pash se të paktën tri vendet e tjera fqinje morën këtë regjim të vizave. Unë shpresoj se Shqipëria dhe Bosnja do të hyjnë në këtë proces të lehtësimit të vizave këtë vit.

Natyrisht se Kosova nuk do të duhej të mbetej një "vrimë e zezë" në hartën e Balkkanit Perëndimor. Është e vështirë që ta kuptojnë gjeneratat e reja dhe studentët në Kosovë, të cilët ndoshta asnjëherë në jetën e tyre nuk arritën të udhëtojnë jashtë, dhe është shumë e vështirë që të kuptohet perspektiva evropiane nësë flisni për një Bashkim imagjinarë.

Unë shpresoj se do të fillojë një proces këtë vit për ta përfshirë Kosovën në liberalizim të vizave. Është shumë e vështirë të flasim tani se çfarë zgjidhje mund të gjejmë, por ne mund të mendojmë që të gjejmë një zgjidhje në mesin e dy apo tri vendeve, ose në mënyrë bilaterale që njerëzit të gjejnë një lloj marrëveshje për të udhëtuyar lirshëm në BE.

A ka qenë Kosova e përjashtuar nga ky proces i liberalizimit të vizave për shkak të moszhvillimit të saj dhe frikës në BE se do të këtë një fluks të madh të qytetarëve të saj që do të largoheshin menjëherë?

- E para mund të them se nuk është e përjashtuar sepse ka frikë edhe për Shqipërinë dhe Bosnjën gjithashtu. Problemi kryesor është statusi i pazgjidhur i Kosovës. Sepse siç e thash janë ende 5 anëtare të BE-së që ende nuk e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës.

Ky është një proces i gjatë por sërish ka ende shumë gjëra që duhet të bëjë vetë Kosova. Por kur procesi të fillojë mendoj se duhet të ketë përgjegjësi nga të dyja palët. Unë shpresoj se do të ketë kurajo edhe nga BE-ja që të gjejë një zgjidhje për të filluar dialogun për vizat edhe me Kosovën.

Dhe ky dialog do të fillojë nga fundi i vitit, vitin e ardhshëm apo kur?

- Është e vështirë të thuhet kur dhe i takon autoriteteve të Komisionit Evropian që të bëjnë propozimin. Unë mund vetëm të përsëris se Parlamenti i Evropës i dha një mbështetje të fuqishme që të fillojë dialogu për vizat dhe të përfshihet edhe Kosova në proces. Dhe unë do ta mbështes këtë edhe në të ardhmen.

BBC

KOMENTE