English

Berisha: Ndëshkim pedagogëve që i kërkojnë studentëve para për notën

Tiranë, 15 janar NOA - Kryeministri, Sali Berisha përshëndeti sot konferencën "Cilësia në arsimin e lartë dhe procesi i Bolonjës, gjendja dhe perspektiva", organizuar nga ministria e Arsimit, me pjesëmarrjen e drejtuesve të universiteteve në vend, pedagogë dhe akademikë.

Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha vlerësoi arritjet shumë të rëndësishme në arsimin e lartë në Shqipëri, por theksoi se këto arritje do të mund të konsolidohen dhe kurorëzohen me sukses vetëm në rast se cilësia në arsim do të jetë objektivi i parë dhe më madhor.

"Ju garantoj se qeveria do t'ju mbështesë, por ju duhet të gjeni format më të përshtatshme për rekrutimin e më të mirëve në stafet akademike," u shpreh Kryeministri.

Kryeministri Berisha ndau me pjesëmarrësit mendime mbi tre çështje të rëndësishme për zhvillimin e arsimit të lartë: ndryshimi me shpejtësi i raporti numër studentësh/pedagogë; përshtatja e degëve dhe fakulteteve me dinamizmin e tregut dhe lufta kundër korrupsionit.

Kryeministri Berisha i ftoi drejtuesit e universiteteve ta shqyrtojnë çdo procedurë në raport me korrupsionin. Duke risjellë në vëmendje suksesin e arritur në luftën kundër korrupsionit në procedurat e pranimeve në universitete, Berisha tha se tani kjo betejë duhet të përqendrohet tek provimet, duke adaptuar metodat më të papërshkueshme nga korrupsioni.

"Unë do të shtroj me ju një problem jetik, fondamental për shoqërinë tonë dhe të ardhmen e saj, luftën kundër korrupsionit. Ne, shqiptarët duhet të jemi të bindur se nuk do të prekim kurrë të ardhmen që meritojmë pa luftën eficente kundër korrupsionit dhe unë e shtroj këtë çështje me bindjen më të thellë se gjej mirëkuptimin më të gjerë.

Me një sistem, ne ia dolëm të zerojmë korrupsionin në pranimet universitare, tani beteja jonë duhet të jetë për provimet. Ndaj unë ju ftoj juve, të dashur rektorë, dekanë dhe pedagogë, të adaptojmë në provime metodat më të papërshkueshme nga korrupsioni, le të jenë më të dobëta, ta supozojmë fishat që ju formuloni, por ju garantoj se do të japë një cilësi dy herë më të madhe. Nuk ka gjë më të rëndësishme, sesa kjo betejë. Ndaj ju ftoj që bashkërisht ta bëjmë me zero tolerancë këtë luftë. Nuk ka më të papranueshme, më të rëndë, sesa kërkesa që i bën pedagogu studentit për shpërblim për notën. Kur një akt të tillë e bën një polic, anëtar i Policisë Rrugore, ai kryen një krim dhe ndëshkohet e do të ndëshkohet, por kur e bën një anëtar i stafeve akademike, i elitës së kombit, kjo është tmerrësisht e rëndë. Ndaj unë ju bëj thirrje që në mënyrën më të vendosur të luftojmë këtë kancer të vërtetë" tha Bershia.

Ndërkohë në fjalën e tij, ministri i Arsimit Myqerem Tafaj tha se Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm të të rinjve me nivel të lartë kualifikimi dhe është në dorën e universiteteve të përzgjedhin më të mirët në treg.

"Universitetet që do të kenë më të mirët, - tha ministri Tafaj - do të jenë edhe universitetet më të suksesshme."

Ministri Tafaj vlerësoi maksimalisht implemtimin në një kohë shumë të shkurtër të reformës më të thellë të arsimit të lartë europian në shekullin e fundit, të Kartës së Bolonjës.

k.k/NOA

KOMENTE